Një fluks i madh automjetesh ka sjellë radhë kilometrike në Rrugën e Kombit mëngjesin e sotëm.
Mësohet se trafiku është rënduar kryesisht në drejtim të Tiranës, teksa emigrantët kanë nisur kthimin drejt vendeve europiane pas përfundimit të pushimeve në Shqipëri dhe rajon.
Situata më problematike paraqitet pranë mbikalimit të Rrëshenit, ku automjetet kalojnë nga një segment me katër korsi në vetëm dy dhe udhëtarëve u duhet të presin deri në 60 minuta.
Vështirësitë vijojnë edhe në aksin Rrëshen-Milot, ku qarkullimi kryhet në dy korsi me kahe të kundërta.
Pavarësisht fluksit të lartë, në këtë pikë nuk është konstatuar prani e Policisë Rrugore për të orientuar automjetet dhe për të lehtësuar qarkullimin.






