Këshilli Bashkiak i Tiranës i ka drejtuar një kërkesë zyrtare SPAK-ut, Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, si dhe Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për mundësimin e pjesëmarrjes së Kryetarit të Bashkisë Erion Veliaj në mbledhjen e radhës së Këshillit Bashkiak, më 21 nëntor 2025, ora 10:00.
Kjo kërkesë, sipas tyre, është e rëndësishme për të garantuar funksionimin demokratik dhe institucional të bashkisë, si dhe t’i japë të drejtën Këshillit për të marrë raportime të drejtpërdrejta nga Kryetari i Bashkisë, ashtu siç e parashikon ligji “Për Vetëqeverisjen Vendore”.
Sipas kësaj shkrese, kërkohet që pjesëmarrja e tij të mundësohet nëpërmjet lejimit të përkohshëm për pjesëmarrjen fizike, ose nëse kjo nuk është e mundur, mundësimi i pjesëmarrjes së kryebashkiakut Veliaj nëpërmjet një modaliteti të përshtatshëm komunikimi online.
Nga ana tjetër, në këtë shkresë Këshilli Bashkiak shpreh gatishmërinë të bashkëpunojë plotësisht për çdo kërkesë sigurie apo protokolli që ka SPAK dhe Drejtoria e Burgjeve, me qëllim garantimin e një procesi ligjor.
Kërkesa e Këshillit Bashkiak të Tiranës për lejimin e Veliajt të marrë pjesë në mbledhje vjen pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila rrëzoi vendimin e qeverisë për shkarkimin e tij, ku një prej argumenteve ishte se Këshilli Bashkiak nuk e kishte dëgjuar kryebashkiakun Veliaj kur kishte propozuar shkarkimin e tij. Shkresa mban firmën e 22 këshilltarëve socialistë.




