Qeveria e re italiane mund të udhëhiqet nga një aleancë e 5 Yjeve me demokratët. Palët mbeten besimplotë se mund të tejkalojnë pengesat aktuale, veçanërisht për emrin e kryeministrit. Rezultati do të mësohet brenda së mërkurës, kur presidenti italian do i ftojë për herë të dytë krerët politikë që të zgjidhin krizën e qeverisë.
“Lëvizja 5 Yjet” dhe Partia Demokratike italiane janë optimistë për vijimin së bashku të mandatit qeverisës të rrezikuar nga zëvendëskryeministri Matteo Salvini.
E ardhmja e koalicionit do të mësohet në dy ditët në vijim, kur partitë kryesore parlamentare të konsultohen me presidentin e vendit, Sergio Mattarella.
Ditën e martë, kreu i shtetit do të këshillohet me kryetarin e dhomës së deputetëve dhe grupeve parlamentare, ndërsa mbasditja e së mërkurës është rezervuar për partitë më të mëdha të vendit.
Kreu i demokratëve në opozitë, Nicola Zingaretti, Luigi di Maio i “5 Yjeve” dhe kryeministri në largim, Giuseppe Conte, u takuan mbrëmjen e kaluar për të shoshitur mospërputhjet e fundit programore.
“Jemi në rrugën e duhur. Jam optimist për këtë marrëveshje. Formimi i qeverisë është diçka serioze, dhe nuk duam një qeveri që të bjerë pas 14 muajsh si ajo e Lidhjes dhe 5 Yjeve,” deklaroi pas takimit 4-orësh shefi i demokratëve, Zingaretti.
Një tjetër pikë e debatueshme mbetet posti i kryeministrit, që “5 Yjet” këmbëngulin se duhet të jetë sërish Konte, por kjo mund t’i kushtojë partisë në pushtet disa karrige ministrore që do i kalojnë PD-së.
Aleanca e re duket se po i shkakton mbështetjen publike partisë së ministrit të Brendshëm, Salvini, e cila ka rënë me gati 5 për qind në sondazhe pas zhvillimeve të fundit.
Salvini tha të hënën se qeveria e re do të ishte kundër vullnetit të popullit.
Kush nuk do zgjedhje të reja në vjeshtë nuk e ka ndërgjegjen e pastër, tha Salvini, duke shtuar se koalicioni “PD-5 Yjet” bëhet vetëm për interes të pushtetit.




