Përfaqësuesja e Partisë Demokratike, Ledina Alolli, ka reaguar pas mbledhjes së jashtëzakonshme të Këshillit Bashkiak Maliq, për të diskutuar reformën territoriale dhe mundësinë e bashkimit të Bashkisë Maliq me Korçën. Duke e quajtur të paprecedentë mbledhjen e Këshillit Bashkiak, Alolli deklaroi se, gjatë dëgjesave publike, rreth 95% e banorëve të Maliqit janë shprehur kundër bashkimit me Korçën.
“Një mbledhje e cila ishte e thirrur sot jashtë radhe me firmat e 1/3 anëtarëve të Këshillit Bashkiak me objektin dhe qëllimin e vetëm që këshilltarët e bashkisë Maliq të shpreheshin në mënyrë të qartë në lidhje me atë çfarë ka projekt Partia Socialiste për reformën territoriale. Projekti i tyre është që bashkia e Maliqit të shkrihet dhe të bashkohet me Korçën dhe qëllimi i kësaj mbledhje ishte që të shprehej ky këshill me një qëndrim zyrtar drejtuar parlamentit në lidhje me se çfarë mendonin këshilltarët bashkiakë. Gjatë kësaj periudhe janë zhvilluar dëgjesa ashtu siç dhe ju e dëgjuat dhe u shpreh edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak me banorët e Maliqit në të gjithë territorin e saj. Nga informacionet që ne sot kemi marrë, 95% e këtyre banorëve janë shprehur kundër bashkimit të Maliqit me Korçën dhe sot ne prisnim që të gjithë që të merrnim edhe një vendim zyrtar të anëtarëve të Këshillit Bashkiak”, deklaroi Alolli.
Ajo u bëri thirrje banorëve të Maliqit të kundërshtojnë bashkimin me Korçën, ndërsa deklaroi se opozita mbështet një reformë territoriale me 100 bashki, duke argumentuar se shërbimet duhet të jenë sa më pranë qytetarëve.
“Një gjë dua t’ju them këshilltarëve sot. Kur je anëtar i Këshillit Bashkiak je aty për të përfaqësuar interesin e qytetarëve të tu. Janë ata që të kanë zgjedhur. Nuk je për të përfaqësuar interesa partiake dhe më duket sot se interesat partiake prevaluan mbi interesat e qytetarëve. Kështu që në këto momente unë i bëj thirrje banorëve të Maliqit. Tani fuqia është e juaja, e keni ju në dorë dhe ne do të jemi mbështetja juaj në mënyrë që ëh Maliqi, bashkia Maliq të mos shkrihet dhe të mos bashkohet me bashkinë e Korçës. Partia Demokratike dhe opozita shqiptare ka një projekt shumë të qartë, 100 bashki, çka do të thotë që ë qytetari është në qendër të kësaj reforme dhe në qendër të këtij projekti, sepse shërbimet janë ato që na interesojnë sot për të qenë më pranë qytetarëve dhe sigurisht duhet të jetë bashkia më pranë qytetarit dhe jo qytetari më pranë bashkisë. Kjo është ajo çfarë ne sot prisnim faktikisht një vendim unanim të të gjithë këshilltarëve, por ndodhi e kundërta”, theksoi ajo.






