Penguan qarkullimin e automjeteve gjatë protestës, gjobiten me nga 5 mijë lekë të reja 36 protestues

Share

Policia ka ndëshkuar me nga 5 mijë lekë të rinj, 36 pjesëmarrës në protestën e së martës, të cilët penguan qarkullimin në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit.

Blutë thonë, se pavarësisht thirrjeve të përsëritura përmes megafonit, për lirimin e rrugës, protestuesit nuk janë bindur dhe kanë vijuar të qëndrojnë aty.

“Masat administrative janë vendosur pasi, gjatë tubimit të zhvilluar në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe në rrugën e Durrësit, këta shtetas kanë bllokuar rrugën, duke penguar qarkullimin e mjeteve të transportit. Pavarësisht thirrjeve të përsëritura të punonjësve të Policisë, nëpërmjet megafonit, për lirimin e rrugës, nuk u janë bindur këtyre thirrjeve. Për secilin është vendosur masa e gjobës në vlerën 5 000 lekë”, njoftoi  sot policia.

Në argumentimin e punonjësit të policisë thuhet se protestuesja e gjobitur, së bashku me persona të tjerë, kishte bllokuar rrugën dhe kishte refuzuar thirrjen për ta liruar atë.

“Më datë 03.11.2026 në vendin e quajtur bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë, disa shtetas, midis tyre edhe shtetësja e lartpërmendur, ka kryer bllokimin e rruges automobilistike me pasojë pengimin e qarkullimit të mjeteve të transportit të cilëve u është bërë thirrje me megafon për lirimin e rrugës, thirrje e cila u refuzua”, thuhet në procesverbal. 
Pas hyrjes në fuqi të Aktit Normativ në ligjin për tubimet, deri më tani janë gjobitur 48 persona. Në aktin Normativ të miratuar të mërkurën e 28 tetorit, parashikohen 9 kategori gjobash që nisin nga 5.000 deri në 500.000 lekë të rinj, në varësi të shkeljes, nga bllokimi i rrugës, fshehja e identitetit në protesta, deri te mosbindja ndaj urdhrit të policisë dhe je maskuar.

Ligji gjithashtu përcakton se kur policia ka dyshime për dhunë, mund të ndalojë tubimet për 72 orë në një perimetër të caktuar. Qeveria ka krijuar edhe regjistrin e posaçëm me emrat e personave të përfshirë në akte te dhunshme gjatë manifestimeve publike.

Read more

Local News