Ministria e Mbrojtjes ka lëshuar një thirrje urgjente për banorët e disa fshatrave në Gramsh, që të lënë shtëpitë e tyre.
“Për shkak të zjarreve, u bëjmë thirrje banorëve të fshatrave Kullollas, Bletëz dhe Menkollarë të largohen menjëherë nga banesat e tyre dhe të bashkëpunojnë me autoritetet për evakuimin e sigurt”, njofton ministria.
Situata ka dalë jashtë kontrollit në disa fshatra, ndërsa zjarret po djegin banesat dhe banorët duhet të evakuohen.
Nga terreni bëhet me dije se Teqeja e Shemberdhenjes është shkrumbuar nga flakët, ndërsa raportohet se një person dyshohet të jetë bllokuar brenda saj.
Përveç fshatrave të përmendur, vatra zjarri ka edhe në Skënderbegas, Kukur, Sojnik dhe Mukaj.
Deri më tani përballja me flakët është bërë vetëm me zjarrfikëset e bashkisë dhe ndihmën e punonjësve vullnetarë ndërsa ende nuk ka pasur ndërhyrje nga Forcat e Armatosura apo shërbimet e emergjencës.




