Qeveria shndërroi fillimisht “Diellën”, asistenten virtuale të bazuar në Inteligjencën Artificiale, në ministren e parë virtuale. Ndërsa tani në një sektor kyç të ekonomisë shqiptare, ka lindur “Ylli”.
Në një kohë që bujqësia ndodhet në një krizë të thellë, Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Andis Salla, prezantoi asistentin e parë virtual të fermerit shqiptar, një platformë e bazuar në Inteligjencën Artificiale që synon sipas tij të sjellë revolucionin digjital në bujqësi.
Nëse “Diella” u konceptua fillimisht si një asistente për qytetarët dhe administratën publike, “Ylli” është menduar si ndihmësi personal i çdo fermeri, i aksesueshëm nga telefoni celular dhe i aftë të komunikojë në gjuhën shqipe në kohë reale.




