Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur hetimet lidhur me shoqërimin e një të mituri, 14 vjeç, në komisariatin e Tiranës gjatë protestës kombëtare të opozitës. Dosja është dërguar në Prokurorinë e Tiranës dhe hetimet përqendrohen te kushtet e shoqërimit të të miturit.
Sipas njoftimit të AMP-së, efektivët që kanë kryer shoqërimin do të merren në pyetje, ndërsa njëkohësisht do të shqyrtohen edhe praktikat e përgjithshme të shoqërimit në komisariat.
Prokuroria e Tiranës pritet të nisë hetime shtesë edhe pas akuzave të opozitës për përdorimin e gazit lotsjellës të skaduar, raporton gazetari i Klan News, Besar Bajraktaraj.
Kujtojmë se jo më larg se dje, në sallën e Kuvendit, vetë ministrja e Brendshme Albana Koçiu sqaroi të gjitha aludimet e ngritura mbi rastin e të miturit.
“I mituri është konstatuar duke gjuajtur me sende të forta, për të mbrojtur jetën e policëve dhe vetë të miturin, ai është marrë për verifikim, siç e parashikon ligji.
Bëhet fjalë për një 14 vjeçar, nuk është trajtuar në mënyrë çnjerëzore, ka qëndruar në një ambient të posaçëm dhe të përshtatshëm në përputhje me standardet e garancisë ligjore për mbrojtjen e të miturve. Me paraqitjen e përfaqësuesve ligjorë, është lënë i lirë.
Askush nuk duhet t’i përdorë fëmijët si mburojë politike, për të justifikuar dhunën. Kush nxit dhe përdor dhunë, duhet të mbajë përgjegjësi penale dhe politike patjetër”, tha ajo.




