Policia e Tiranës ka bërë të ditur masat e marra pas protestës së zhvilluar një ditë më parë nga Partia Demokratike në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përpara Kryeministrisë dhe Parlamentit.
Në njoftimin zyrtar bëhet me dije se 18 persona janë arrestuar mes tyre edhe tre të mitur, ndërsa 28 të tjerë janë proceduar penalisht.
Në pranga kanë rënë shtetasit Alvaro Karrata, 19 vjeç, Dionis Gremi, 32 vjeç, Abdulla Isha, 42 vjeç, Vilson Isha, 22 vjeç, Egli Xhaferi, 18 vjeç, Krenar Nela, 23 vjeç, Riza Isenlikaj, 20 vjeç, Edvin Cato, 46 vjeç, Robert Patuçi, 26 vjeç, Marsel Kuçi, 31 vjeç, Agim Deda, 31 vjeç, Kujtim Kothi, 45 vjeç, Fatmir Dodaj, 23 vjeç Bledar Bivja, 23 vjeç, Ardian Deda, 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur.
Ndërkohë në gjendje të lirë janë proceduar 28 të tjerë, mes të cilëve edhe deputeti demokrat Klevis Balliu, i akuzuar për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.
Policia bën me dije se nga protesta e djeshme janë sekuestruar 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Njoftimi i policisë:
Hodhën lëndë piroteknike, molotovë, dhe sende të forta si dhe kundërshtuan punonjësit e Policisë, gjatë tubimit të zhvilluar dje, identifikohen 46 shtetas. Arrestohen 18 prej tyre, procedohen penalisht 28 të tjerët.
Sekuestrohen 25 molotovë të pashpërthyer, 27 celularë dhe sende të tjera të kundërligjshme.
Strukturat e Policisë Tiranë në përfundim të veprimeve të para hetimore të kryera në lidhje me veprimet e kundraligjshme të kryera nga një grup protestuesish gjatë tubimit të zhvilluar mbrëmjen e djeshme nga subjekti politik Partia Demokratike, të cilët kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë së Shtetit që kishin marrë masa për ruajten e institucioneve shtetërore, për garantimin e rendit dhe sigurisë publike dhe për lëvizjen e lirë të qytetarëve përrreth territorit ku po kryehej tubimi, si dhe kanë hedhur drejt punonjësve të policisë dhe institucioneve lëndë djegëse (molotovë) dhe sende të forta drejt tyre, arrestuan në flagrancë shtetasit:
K., 19 vjeç, D. G., 32 vjeç, A. I., 42 vjeç, V. I., 22 vjeç, E. Xh., 18 vjeç, K. N., 23 vjeç, R. I., 20 vjeç, E. C., 46 vjeç, R. P., 26 vjeç, M. K., 31 vjeç, A. D., 31 vjeç, K. K., 45 vjeç, F. D., 23 vjeç B. B., 23 vjeç, A. D., 53 vjeç dhe 3 shtetas të mitur;
Si dhe proceduan penalisht 27 shtetas të tjerë.
Gjithashtu, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin K. B, deputet, për veprën penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime dhe manifestime të paligjshme”.




