Friday, May 8, 2026
Ballina Aktualitet PS ashpërson Kodin Rrugor: Ja kur hiqet përfundimisht pantenta

PS ashpërson Kodin Rrugor: Ja kur hiqet përfundimisht pantenta

0
58

Pas ngjarjes tragjike të Durrësit, ku humbën jetën dy të mitur dhe u plagos një tjetër, është shtuar vigjilenca nëpër rrugët e vendit sa i takon respektimit të rregullave të qarkullimit rrugor.

Ashtu siç e paralajmëroi në Kuvend, Partia Socialiste ka propozuar sot, 8 maj, një amendament që lidhet pikërisht me Kodin Rrugor. Propozim që synon ashpërsimin e masave ndaj shkeljeve dhe rritjen e sigurisë në rrugë.

Sipas dokumentit, drejtimi i mjetit pa leje drejtimi do të sjellë jo vetëm përgjegjësi penale, por edhe shtyrje me 1 deri në 2 vite të së drejtës për t’u pajisur me patentë, sidomos për të miturit.

Për drejtuesit e rinj me leje “B” (deri në 24 muaj), parashikohen kufizime më të rrepta: alkool zero në gjak, shpejtësi më e ulët e lejuar dhe ndalim i drejtimit natën pa shoqërues me përvojë. Shkeljet do të shoqërohen me gjoba, pezullim patente dhe humbje pikësh.

Ndryshimet prekin edhe përdorimin e telefonit gjatë drejtimit, duke e ndaluar edhe për biçikleta, motomjete dhe monopatina elektrike, si dhe ashpërsim të gjobave për shkelje të rënda të sjelljes në rrugë. Një tjetër masë e fortë parashikon heqjen e përhershme të lejes së drejtimit për shkelësit “serialë”.

Pjesë nga dokumenti:

Drejtuesit të mjetit, i cili konstatohet duke drejtuar mjetin pa qenë i pajisur me leje drejtimi, përveç përgjegjësisë sipas legjislacionit penal në fuqi, i shtyhet për një periudhë prej 1 (një) viti e drejta për t’u pajisur me leje drejtimi pranë sistemit të autoshkollave, si masë administrative ndëshkuese.

Kur drejtuesi i mjetit është i mitur, afati për t’u pajisur me leje drejtimi pranë sistemit të autoshkollave shtyhet për një periudhë 2-vjeçare nga momenti kur i lind kjo e drejtë sipas legjislacionit në fuqi.

Organet e Policisë së Shtetit dhe Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor kujdesen për evidentimin e kundërvajtësve dhe kryerjen e procedurave përkatëse të regjistrimit në sistem.”

Drejtuesit e mjeteve, të cilët janë pajisur me leje drejtimi të kategorisë ‘B’ brenda 24 (njëzet e katër) muajve të fundit, i nënshtrohen këtyre kufizimeve të posaçme:

a) kufiri i lejuar i alkoolit në gjak është 0.0‰;

b) shpejtësia maksimale e lejuar është 90 km/orë në autostrada dhe rrugë interurbane kryesore, si dhe 80 km/orë jashtë qendrave të banuara;

c) ndalohet drejtimi i mjetit nga ora 24:00 deri në orën 06:00 pa praninë e një drejtuesi shoqërues, i pajisur me leje drejtimi prej të paktën 3 (tre) vjetësh;

ç) mosrespektimi i kufizimeve të përcaktuara në këtë pikë dënohet me gjobë administrative nga 5 000 (pesë mijë) lekë deri në 15 000 (pesëmbëdhjetë mijë) lekë, si dhe merret masa plotësuese e pezullimit të lejes së drejtimit për 1 (një) muaj dhe heqja e pikëve sipas përcaktimeve të akteve nënligjore në fuqi;

d) pas përfundimit të periudhës së provës prej 24 (njëzet e katër) muajsh pa shkelje, kufizimet hiqen automatikisht. Për drejtuesit e mjeteve, të cilët gjatë një viti konstatohet se kanë kryer dy shkelje të normave të sjelljes ose të kufizimeve të përcaktuara në këtë pikë, si dhe u janë hequr të paktën 10 (dhjetë) pikë, periudha e kufizimeve zgjatet edhe me 1 (një) vit.”

Ndalohet gjithashtu përdorimi i telefonit celular të mbajtur me dorë gjatë drejtimit të mjeteve të tjera, përfshirë biçikletat, motomjetet deri në 50 cc dhe monopatinat me motor.

Mbajtësi i lejedrejtimit të mjetit, të cilit gjatë lëshimit ose rinovimit të lejedrejtimit i është vendosur kushti për korrigjimin e të metave organike ose të aftësive të ulëta anatomike a funksionale nëpërmjet syzeve optike ose aparateve të tjera të caktuara, është i detyruar t’i përdorë ato gjatë drejtimit të mjetit.”

Kur nga verifikimet e parashikuara në pikat e këtij neni rezulton një vlerë alkoolike më e lartë se 0,5 gram për litër (g/l) në gjakun e drejtuesit të mjetit dhe ky drejtues është konstatuar e ndëshkuar më parë për drejtim mjeti nën ndikimin e alkoolit ose në gjendje të dehur, në rast përsëritjeje merret masa e heqjes së lejes së drejtimit përgjithmonë.”

Zjarr Tv Ad