Ish-ministri i Financave dhe ish-deputeti socialist, Arben Malaj, ka replikuar në distancë me kryetarin e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla, i cili i quajti lapangjozë protestuesit kundër qeverisë, një ditë më parë në fjalën e tij në Parlament.
“Kishit njërin aty të cilit i dukej vetja si Çak Norris dhe që po qëllonte kryeministrinë. Ai grupi aty në mes ishin ca fytyrë mbuluar lapangjozë të cilët kishin marrë urdhrat për të goditur institucionet dhe këta lapangjozët duhet të përplasen duhet të përballen me drejtësinë”, tha Balla të martën, përcjell A2 CNN.
“Profesor Servet Pëllumbi një prej ikonave të PS dhe të majtës shqiptare argumentonte se: “Shtypja e kundërshtarëve i ngjan shtypjes së një suste. Sa më shumë e shtyp aq më fortë ajo të kthehet pas”. Gjuha poshtëruese dhe provokuese ndaj protestuesve, në çdo rast, është jo e dobishme, sepse i ngjan hedhjes së benzinës në një zjarr. Ky klasifikim i mijëra protestuesve me epitete fyese dhe përçmuese është gjëja më e ulët që mund të bëjë një politikan”, iu përgjigj Malaj në një postim në Facebook.
“Pse Rilindja po ndjek një strategji ofenduese dhe përçmuese ndaj opozitës së vendit tonë? Mosbindjen civile, pushtimin e podiumeve të Parlamentit. Zhurma me bilbila për të mos lejuar vazhdimin e punimeve te seancave dhe tentativat për bllokimin e rrugëve nacionale i ka aplikuar me jo pak egërsi edhe vetë Rilindja. Personalisht kam qenë dhe jam kundër tensionimit të jetës politike të vendit tonë. Sepse agresiviteti politik i rëndon më shumë popujve se sa politikanëve. Po nëse më 21 Janar nuk do të kishte ndodhur vrasja shtetërore e katër protestuesve të pafajshëm, si do t’i quante sot shoku Taulant protestuesit e opozitës tonë, me shkopinj nëpër duar, duke tentuar të dhunonin policët dhe të sulmonin Kryeministrinë? Të gjitha librat e shenjtë japin një mësim të vyer: Kurrë mos i bëj tjetrit atë që nuk do të doje të ta bënte ai ty”.




