Friday, July 10, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet “Rama mbron financimin me 4 mln euro për Kanye West”/ New York...

“Rama mbron financimin me 4 mln euro për Kanye West”/ New York Times: Kryeministri nuk dha detaje për përdorimin e fondeve

0
3
Zjarr Televizion Adccccc

Gazeta prestigjioze amerikane  New York Times i ka kushtuar një artikull debatit që ka shpërthyer në Shqipëri për financimin publik të koncertit të reperit amerikan Kanye West, i njohur si “Ye”, si edhe polemikave që shoqërojnë projektet turistike në bregdetin shqiptar.

Sipas artikullit, kryeministri Edi Rama ka mbrojtur vendimin e qeverisë për të financuar koncertin me rreth 4.5 milionë dollarë, duke e cilësuar atë një investim për promovimin e Shqipërisë si destinacion turistik. Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e përshkroi eventin si një mundësi të rëndësishme për të tërhequr vizitorë dhe për të rritur imazhin e vendit.

Megjithatë, New York Times thekson se kryeministri nuk ka dhënë detaje konkrete mbi mënyrën se si do të përdoren fondet publike. Gazeta rikujton gjithashtu deklaratën e ministrit të Turizmit, Blendi Gonxhja, sipas së cilës për koncertin po ndërtohet një stadium i përkohshëm me kapacitet prej rreth 60 mijë spektatorësh.

Sipas artikullit, Rama pret që eventi të sjellë të paktën 114 milionë dollarë për ekonominë shqiptare. Ai argumenton se financimi publik është i domosdoshëm për të garantuar zhvillimin e koncertit dhe për të shmangur, sipas tij, dëmtimin e imazhit të Shqipërisë përballë mijëra vizitorëve që kanë blerë tashmë biletat. Kryeministri vlerëson se aktiviteti do të ndikojë pozitivisht në konsum, biznes dhe të ardhurat e shtetit.

New York Times e vendos debatin për koncertin në kontekstin e protestave që po zhvillohen kundër projektit të resortit turistik në bregdetin e Adriatikut, ku është i përfshirë Jared Kushner, dhëndri i presidentit amerikan Donald Trump.

Sipas gazetës, Rama i ka cilësuar kritikat ndaj koncertit dhe projektit turistik si pjesë të një fushate dezinformimi, duke deklaruar se protesta qytetare është përdorur për qëllime politike. Ai është shprehur se Shqipëria do të vijojë me projektet e saj dhe se “nuk ka asnjë shans të kthehet pas”.

Artikulli ndalet edhe te figura e Kanye West, duke rikujtuar polemikat që artisti ka shkaktuar ndërkombëtarisht pas deklaratave antisemite dhe komenteve në mbështetje të Adolf Hitlerit dhe nazizmit, për të cilat më vonë ka kërkuar falje.

Në përfundim, New York Times vëren se turneu i Kanye West është shoqëruar me kundërshtime dhe anulime në disa vende evropiane, ndërsa në shtete të tjera koncertet janë zhvilluar me pjesëmarrje të lartë.

Zjarr Tv Ad