Friday, October 23, 2026
Ads for TheNakedTruth.tv
Ballina Aktualitet Rama u kërkon ministrave dorëheqjet e të gjithë drejtorëve të institucioneve. Ja...

Rama u kërkon ministrave dorëheqjet e të gjithë drejtorëve të institucioneve. Ja kush preket

0
66

Edi Rama raportohet se ka kërkuar nga ministrat që të nisin një proces largimi të drejtuesve të institucioneve në varësi të tyre, në një kohë kur qeveria po përballet me protestat në Tiranë.

Rama i ka kontaktuar ministrat nga Budva, duke u kërkuar që të mbledhin drejtuesit e institucioneve që kanë në varësi dhe t’u kërkojnë dorëheqjen e parevokueshme.

Urdhri i kryeministrit Edi Rama për dorëheqjen e drejtuesve të institucioneve në varësi të ministrive prek disa nga strukturat më të rëndësishme të administratës shtetërore. Nga Tatimet dhe Doganat, te energjetika, infrastruktura, burgjet dhe agjencitë publike, një numër i madh drejtuesish janë përfshirë në kërkesën për largim nga detyra.

Në sektorin e financave publike, kërkesa prek Ilir Binajn, drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve, dhe Besmir Bejën, drejtorin e Përgjithshëm të Doganave. Të dy institucionet kanë një rol kyç në mbledhjen e të ardhurave të buxhetit të shtetit.

Në listë është edhe Etugert Llazi, drejtuesi i Qendrës Kombëtare të Biznesit institucion që administron regjistrimin dhe të dhënat e bizneseve.

Ndryshimet shtrihen edhe në sektorin e infrastrukturës dhe energjisë, ku përfshihen drejtues të disa prej kompanive më të mëdha publike.

Mes tyre janë Eltar Deda, administrator i Albpetrolit, Ami Kozeli, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Elisian Bici, administrator i Operatorit të Sistemit të Transmetimit, dhe Viola Haxhiademi, administratore e Korporatës Elektroenergjetike Shqiptare.

Kërkesa për dorëheqje është raportuar edhe për Ergys Verdhon, administratorin e Hekurudhës Shqiptare, si dhe Dritan Isakun, drejtorin e Përgjithshëm të Albcontrol.

Në Ministrinë e Drejtësisë, lista përfshin Besmir Kolën, drejtorin e Përgjithshëm të Shërbimit të Provës, Ergys Qiricin, drejtorin e Përgjithshëm të Përmbarimit, Valdrin Pjetrin, drejtuesin e Agjencisë së Trajtimit të Pronave, dhe Eduard Merkajn, kreun e Agjencisë së Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale. Mes emrave të raportuar është edhe Sadleva Bodo, drejtoresha e Përgjithshme e Burgjeve, e cila është emëruar në këtë detyrë vetëm pak ditë më parë, më 14 tetor.

Urdhri prek gjithashtu institucione që mbulojnë prokurimet, dokumentet e identifikimit dhe kontrollin financiar. Në këtë grup përfshihen Silda Anagnosti Çepe, administratore e IdentiTek, Jonaid Myzyri, drejtues i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, dhe Ervin Koçi, drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Inteligjencës Financiare.

Në listën e publikuar janë edhe tri drejtuese të agjencive shtetërore: Laura Plaku Saro, drejtoreshë ekzekutive e Agjencisë Shqiptare të Zhvillimit të Investimeve, Ardita Kuçi, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë për Zhvillim Bujqësor dhe Rural dhe Marjeta Përlala, drejtoreshë e Përgjithshme e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit.

E megjithatë detaje të reja do të priten në ditët në vijim, teksa më herët Newsbomb.al raportoi se urdhri nga kryeministri ishte dhënë në orën 16:00 dhe të gjithë drejtorët deri në orën 17:00 kishin dorëzuar kërkesat për dorëheqjen e tyre. Madje, një detaj interesant është se zyrat e protokollit kanë qëndruar të hapura deri vonë, në mënyrë që të dorëzoheshin të gjithë dorëheqjet. / Nga “Newsbomb.al“

Zjarr Tv Ad