Ramës i ikën edhe Ëngjëll Agaçi, pas 13 vitesh në kryeministri

0
0

Në vitin e 13 të qeverisjes, Edi Rama ka lënë të ikë një prej bashkëpuntorëve të tij më të vjetër në kryeministri, Ëngjëll Agaçin, zyrtarisht sekretar i përgjithshëm i Këshillit të Ministrave, por realisht shumë më tepër se aq, një lloj “ustai” i ligjeve, një mjeshtër për t’i dhënë formë ideve kontroverse të Ramës për menaxhimin e pasurive publike, në veçanti kur duhej të shmangej një rrezik penal. Deri vonë, Agaçi ia doli të ruajë një profil të ulët publik, pa u përfshirë në jetën publike, por duke ruajtur në prapaskenë ndikimin e personazhit që “rregullon letrat” për projekte të rëndësishme qeveritare. Vitet e fundit ai e pati të vështirë t’u fshihej kamerave për shkak se herë pas here thirrej në SPAK.

Agaçi, një ish avokat që ka ushtruar për shumë vite profesionin në Itali, u lidh me administratën socialiste përmes klientëve të tij, që nuk vinin nga jeta akademike, por mund t’i shërbenin Ramës të vinte në pushtet.

Në një profil të tij, disa vite më parë, Lapsi.al solli në vëmëndje se si Agaçi nuk mungonte asnjëherë në drekat që Rama shtron me oligarkët dhe bosët e mediave. Ai ishte në djeni të pothuajse të gjiha kërkesave të tyre ekonomike. Pushteti i tij u rrit veçantërisht kur Ramës i duhej inventarizimi i të gjitha pasurive në bregdet, në kuadrin e Korporatës së Investimeve, një strukturë që u krijua për t’i dhënë pa garë tokat dhe pronat publike biznesmenëve të mëdhenj vendas.

Vetë fakti se ai i rezistoi brrylave të pushtetit për plot 13 vjet, mjafton për të treguar se sa i rëndësishëm ishte Agaçi me shërbimet e tij për Ramën.

Burime të Lapsi.al pranë qeverisë thanë se sot pati një takim informal ku dhe janë komunikuar vendimet. Është ende e paqartë nëse Agaçi është shkarkuar apo është dorëhequr nga detyra.

I njëjti burim i tregoi Lapsi.al se pasuesja e tij në këtë post të rëndësishëm është Elsonida Rama, e cila aktualisht mban pozicionin e drejtoreshës së Kodifikimit në Ministrinë e Drejtësisë.

Pikëpyetjet se përse është thirrur Agaçi në SPAK janë të shumta, pasi ai vetë nuk ka sqaruar asnjëherë se përse është marrë në pyetje.

Në lojë është një firmë e Edi Ramës në procedurat e inceneratorit të Tiranës. Në dhjetor 2016 me dokumentin që publikon Lapsi.al (shiko poshtë) kryeministri Edi Rama i dha 8% bonus kompanisë “Integrated Energy BV” me seli në Holandë në pronësi të Klodian Zotos dhe Klodian Mërtirit.

Kompania hyri në garë për inceneratorin e Tiranës edhe pse ende nuk ishte regjistruar si subjekt në Qendrën Kombëtare të Biznesit, siç e kërkon ligji. Por megjithëse kompania nuk ekzistonte, Edi Rama firmosi bonusin 8% për të.

Ndonëse ministrja e atërhershme e Shtetit për marrëdhëniet me parlamentin, Ermonela Felaj kishte sinjalizuar qeverinë se kompania që do të merrte bonusin nuk ekzistonte në QKB, Rama e hodhi firmën në paligjshmëri të hapur.

Kontrata finale për inceneratorin rezultoi se u firmos jo me “Integrated Energy BV”, por me “Integrated Energy BV SPV”, e rregjistruar ditën e nënshkrimit të kontratës, më 31 gusht 2017.

Më vonë, Rama nuk mbajti përgjegjësi për firmën që kishte hedhur në paligjshmëri.

Është i njohur tashmë reagimi i tij në dëshminë që dha në Komisionin Hetimor për Inceneratorët, kur flet për mënyrën se si i hedh firmat mbi dokumentat që i vë para stafi.

“Firmat e mia? E di si vihen firmat e mia? Vijnë ato dosjet tak tak tak të gjitha kështu dhe unë firmos… pam pam pam pam.” u shpreh Rama.

Më vonë, kryeministri u pyet nëse ishte përgjegjës për bonusin që i dha Klodian Zotos prej 8% nëse kompania e tij nuk ekzistonte dhe ai u shpjegoi gazetarëve se nënshkrimi i kryeministrit ishte një proces pak më i komplikuar se aq.

“Unë mbaj përgjegjësi për çdo firmë. Dhe çdo firmë e imja është frut i një procesi dhe i një mekanizmi. Dhe ai mekanizëm ka në përbërjen e vet përfaqësues nga institucione apo nga sfera të ndryshme ra që kanë kompetencat e tyre dhe ky bashkim kompetencash sjell një rezultat. Dhe kur ky rezultat merr firmën time, kthehet në një vendim Kështu bëhen të gjitha vendimet” ka thënë Rama kur është pyetur për firmën e tij për inceneratorin e Tiranës.

Logjika e Ramës është se ai nuk ka asnjë përgjegjësi, pasi hedhja e firmës së kryeministrit nuk duhet konceptuar si një akt individual, por frut i një mekanizmi dhe procedurash që përfshijnë ekspertë dhe zyrtarë nga institucione të ndryshme.

Me pak fjalë përgjegjës për firmën e Ramës për inceneratorin nuk është Rama, por është sekretari i tij, Ëngjëll Agaçi dhe zyrtarët e tjerë që punonin në zyrën juridike të kryeministrit.

Me gjasë, ky është momenti që e çon Agaçin në tryezën e prokurorëve të SPAK, të cilët kanë disa vite që e thërrasin pa dalë në një konkluzion për inceneratorin që nuk u ndërtua kurrë, por për të cilin ne taksapaguesit paguam minimalisht 100 milionë euro.

Me largimin e Agaçit bëhet më i plotë një spastrim që Rama i ka bërë “gardës së vjetër” në kryeministri, ku përfshihet edhe zëvëndësimi i Vali Bizhgës me Vilma Gurin, apo të Endri Fugës me Jonida Shehun. Simptomat e paranojës janë të njohura në rrethet e larta të pushtetit. Është ai momenti kur udhëheqësit politikë humbin besimin tek njerëzit e tyre të afërt, dhe futen në spiralet e dyshimit: Mos vallë këta duan të më bëjnë mua, atë që unë mund t’ia bëj i pari atyre?!/Lapsi.al

Zjarr Tv Ad