Reforma Territoriale duket se po ecën me ritmin e vet, aq sa edhe deputetët e mazhorancës po e mësojnë hartën e re nga mediat.
Deputeti socialist Erion Braçe ka zbuluar se, pavarësisht diskutimeve të zhvilluara nga kryeministri Edi Rama me drejtuesit politikë të qarqeve dhe takimeve në territor, me deputetët nuk është zhvilluar ende një diskutim i plotë për reformën.
Madje, Braçe tha hapur se edhe kufijtë e rinj i ka mësuar nga mediat.
“Me deputetët jo. Unë e kam marrë vesh ndarjen e kufijve nga media, por ama që të jetë bërë një diskutim i plotë për reformën ende nuk është bërë”, deklaroi Braçe në “ÇdoKënd” në A2CNN.
Por Braçe nuk u ndal vetëm te mënyra se si është komunikuar reforma. Sipas tij, diskutimi është nisur në drejtimin e gabuar, pasi debati nuk duhet të përqendrohet vetëm te pyetja se “kush do të shkrihet” dhe “kush do të bashkohet”, por te kompetencat që do të kenë njësitë e reja.
“Harta e re territoriale është impostuar gabim e gjitha”, tha deputeti socialist.
Ai kundërshtoi qasjen që e sheh reformën kryesisht përmes numrit të bashkive apo aksesit në fondet e Bashkimit Europian, duke kërkuar që pushtetit vendor t’i jepen më shumë kompetenca dhe financime edhe nga fondet kombëtare.
Sipas Braçes, qeveria qendrore duhet të heqë dorë nga një pjesë e konsiderueshme e pushtetit dhe t’ia delegojë atë pushtetit vendor.
“Qeveria qendrore duhet të lëshojë masivisht pushtet tek pushteti vendor”, tha ai.
Braçe solli si shembull edhe arsimin, duke argumentuar se qeveria duhet të mbajë politikat kombëtare, kurrikulën dhe kontrollin e cilësisë, por jo domosdoshmërisht të administrojë çdo funksion nga qendra.
Në një tjetër kritikë ndaj mënyrës së ndërtimit të reformës, deputeti socialist tha se pushteti nuk duhet të përqendrohet vetëm te kryetari i bashkisë, sidomos në rastin kur bashkitë do të jenë edhe më të mëdha.
Sipas tij, kompetencat duhet të zbresin deri te njësitë administrative dhe komunitetet lokale.






