Ish-kryebashkiaku socialist i Himarës, Jorgo Goro, është rikthyer në burg, rreth shtatë muaj pas lirimit nga qelia, për të vuajtur pjesën e mbetur të dënimit.
Ai u paraqit mbrëmjen e djeshme në Komisariatin e Vlorës, ku u bë ekzekutimi i vendimit për masën “arrest me burg”, në zbatim të një vendimi të formës së prerë nga Apeli i Posaçëm i GJKKO-së.
Sipas përllogaritjeve të SPAK, pas konfirmimit të dënimit me 2 vite burg, të reduktuara në 1 vit e 4 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar, Goros i kanë mbetur për të shlyer edhe 6 muaj e 10 ditë burg, pasi është llogaritur koha e kaluar në paraburgim.
Çështja lidhet me tjetërsimin e një prone në zonën e Livadhës, për të cilën ai ishte shpallur fajtor edhe nga Gjykata e Posaçme më 30 korrik 2025.
Ndërkohë, më herët Goro kishte vuajtur 17 muaj burg nga një tjetër dënim prej 2 vite e 20 ditësh për tjetërsimin e një sipërfaqeje prej 10 mijë metrash katrorë tokë në Gjilekë të Himarës, nga i cili përfitoi ulje dënimi për shkak të gjykimit të shkurtuar dhe u lirua.




