Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka zhvilluar sot një konferencë për mediat ku ka folur lidhur me protestën që do të mbahet pasditen e sotme para Kryeministrisë.
Berisha tha se protesta do të jetë paqësore ashtu siç e kanë deklaruar edhe më herët, ndërsa shtoi se nuk do të ndalen deri në fitore.
“Protesta është paqësore, pavarësisht çfarë thonë ata. Ne kemi në platformë protestën paqësore. Ne jemi opozitë demokratike. Opozita nuk ka banditë si Proda dhe Sokol Bizhga. Nuk ka kriminelë e trafikantë si ata. Opozita do të vazhdojë deri në fitore të plotë. Këta minj që po ikin do të kapen kudo që të jenë. Së pari korrupsioni do të shpallet krim i rëndë”, u shpreh kreu i PD-së.
I pyetur lidhur me skenarin e zhvillimit të protestës, Berisha tha se gjithçka do të shihet në shesh para Kryeministrisë.
“Skenarin do ta ndiqni atje me shumë vëmendje”, u përgjigj ai.
Lidhur me hedhjen e molotovëve dhe lëndëve piroteknike, kryedemokrati u shpreh se ky veprim nuk është kryer nga asnjë eksponent i PD-së.
“Këto nuk i organizon PD, pse shihni inskenimet e Prodës në zyrat e policisë dhe i paraqesin si prova, nuk i pranon kush ato. Asnjë eksponent i PD-së nuk ka hedhur molotov, mund të ketë pasur ndonjë qytetar të zemëruar. Do ta shihni aty se çfarë do të ndodhë”, tha Berisha.




