Sesioni i ri parlamentar, Begaj mesazh deputetëve: Kuvendi në veprim dhe Qeveria të japë llogari

0
0

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, ka publikuar këtë të hënë, më 19 janar, një mesazh drejtuar deputetëve të Shqipërisë me rastin e çeljes së sesionit të ri parlamentar të Legjislaturës XI.

Në këtë letër publike, presidenti Begaj shprehet se Kuvendi nis një gjashtëmujor vendimtar, të mbushur me nisma reformuese dhe përgjegjësi të larta shtetformuese.

Kreu i Shtetit nënvizoi se çdo iniciativë ligjore duhet t’i shërbejë forcimit të shtetit të së drejtës, mirëqenies së qytetarëve dhe objektivit strategjik të Shqipërisë: anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Duke iu referuar përafrimit të legjislacionit dhe agjendës së integrimit, presidenti thekson në mesazhin drejtuar deputetëve se procesi kërkon përkushtim, reforma të thella dhe bashkëpunim të sinqertë ndërinstitucional.

“Përafrimi i legjislacionit dhe plotësimi me prioritet i agjendës së Bashkimit Evropian nuk mund të ketë konkurrencë. Ai kërkon përgjegjësi dhe përkushtim të vërtetë, kërkon reforma të thella dhe punë intensive. Procesi parlamentar në këtë drejtim nuk e garanton dot suksesin nëse vëmendja shpërqendrohet, nëse ligjërimi parlamentar humbet rrugën, nëse bashkëpunimi ngec, nëse debati humbet fokusin nga interesi ynë kombëtar dhe nëse rezultatet vonojnë. Në rrugën drejt familjes evropiane ne nuk kemi kohë për të humbur dhe as energji për të shpërdoruar”, shprehet presidenti Begaj.

Ndërsa thekson reformën në drejtësi dhe nisjen e saj si emergjencë kombëtare, Begaj shprehet për rëndësinë e mbështetjes së politikës ndaj luftës kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit në mënyrë që qytetarët të marrin drejtësi sipas standardeve evropiane.

“Reforma zgjedhore kërkon përkushtim maksimal”

Në këtë sesion parlamentar, Kreu i Shtetit e cilësoi reformën zgjedhore si një prioritet, duke kërkuar adresimin e plotë të rekomandimeve të OSBE-ODIHR-it dhe shmangien e ndryshimeve të vonuara që rrezikojnë standardin e zgjedhjeve.

Po ashtu, ai theksoi rëndësinë e reformës administrativo-territoriale, e cila duhet të udhëhiqet nga interesi i qytetarëve, zhvillimet demografike dhe nevoja për shërbime publike cilësore e të barabarta.

“Në këtë sesion, reforma zgjedhore duhet të arrijë pikën kulmore. Angazhimet në funksion të kësaj reforme kërkojnë përkushtimin tuaj maksimal. Rekomandimet e misionit të OSBE-ODIHR-it kanë identifikuar çështje thelbësore për standardin e zgjedhjeve në Shqipëri, të cilat nuk mund të ngelen pa u adresuar. Kuadri ligjor zgjedhor duhet t’i nënshtrohet një reformimi tërësor, në një proces konsultimi gjithëpërfshirës dhe në përputhje me praktikat e mira dhe standardet ndërkombëtare brenda këtij sesioni parlamentar. Ndryshimet e vonuara të legjislacionit zgjedhor përbëjnë rrezik për standardin e zgjedhjeve.

Reforma administrative territoriale përbën, gjithashtu, një gur kilometrik, i cili suksesin e ka të lidhur ngushtë me aftësinë e palëve për dialog konstruktiv dhe kompromis. Kjo reformë  duhet të udhëhiqet nga interesi më i lartë i qytetarëve, lëvizjet demografike, nga nevoja për shërbime dhe infrastrukturë publike dinjitoze dhe të barabartë në çdo njësi për ta bërë vetëqeverisjen vendore të vërtetë dhe të qëndrueshme.”, janë fjalët e tij.

Presidenti Begaj kërkoi një Kuvend aktiv në kontrollin parlamentar, ku qeveria jep llogari dhe institucionet reagojnë, duke e bërë parlamentin të jetë më pranë qytetarëve dhe më funksional.

Zjarr Tv Ad