Kompania koncesionare e plehrave në Sharrë vijon të mos shlyejë borxhet ndaj palëve të treta. Pavarësisht se kjo kompani, pronarët e të cilëve janë në kërkim, vijon të marrë miliona euro nga qeveria. Vetëm në dy javët e fundit në llogarinë e saj janë arkëtuar 1 milion euro nga bashkitë Durrës, Kavajë, Tiranë.
Kompania koncensionare e plehrave të Sharrës është prej më shumë se një muaji nën sekuestro për shkak të borxheve. Shoqëria off-shore, “Integrated Energy BV”, garantoi qeverinë shqiptare se kishte 120 milionë në dispozicion për të ndërtuar landfillin dhe inceneratorin e Tiranës.
Kompania ka përfituar dhjetëra milionë euro për shërbimin e depozitimit të mbetjeve urbane prej vitit 2017, ndërkohë që inceneratori ende nuk është ndërtuar.
Vetëm në dy javët e fundit, në llogaritë e kompanisë janë arkëtuar mbi 1 miliard lekë të vjetra ose rreth 1 milionë euro nga bashkitë e Durrësit, Kavajës dhe Tiranës. Por, sërish rezulton se kompania off shore nuk ka mundësi për të shlyer detyrimet ndaj të tretëve. Kjo situatë ngre pikëpyetje mbi aftësinë financiare që ka fituar një prej koncensioneve më të shtrenjtë në Shqipëri.
“Integrated Energy BV” është nën hetim nga Struktura e Posaçme Antikorrupsion, SPAK, për atë që konsiderohet “afera e inceneratorëve”. Komisioni Hetimor Parlamentar për mbetjet urbane zbuloi se kompanitë simotra të saj, që zotërojnë koncensionet e landfilleve në Fier dhe Elbasan i kanë zbrazur llogaritë e tyre bankare, para se prokurorët specialë të nisnin veprimet proceduriale ndaj tyre.
Ndërkohë, edhe koncensionari i Sharrës, për të cilin hetimet penale nuk kanë avancuar aspak, duket se është në vështirësi financiare, për sa kohë ajo qëndron e bllokuar nga përmbaruesi privat për mungesë shlyerje detyrimesh




