SHBA ka miratuar afro 2.7 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën dhe aleatët, përfshirë 675 milionë dollarë armë për Kievin
Sekretari i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftoi paketën e ndihmës në një takim me dhjetëra kolegë ministra në bazën ajrore amerikane në Ramstein, Gjermani.
Ndihma përfshin obus, municione, automjete Humvee, autoambulanca të blinduara dhe sisteme antitank.
Shtetet e Bashkuara kanë premtuar të paktën 13 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën.
Administrata Biden tha të enjten se kishte caktuar 2 miliardë dollarë në ndihmë afatgjatë në formën e investimeve për të forcuar sigurinë e Ukrainës dhe 18 fqinjëve të saj, përfshirë anëtarët e NATO-s dhe joanëtarët që rrezikohen nga agresioni rus.
Ai tha se do të njoftonte Kongresin për planin e ndihmës. Sekretari amerikan i Shtetit Anthony Blinken mbërriti në kryeqytetin ukrainas Kiev, ndërsa kolegu i tij u kërkoi aleatëve të Ukrainës të angazhohen për të mbështetur vendin për aq kohë sa është e nevojshme dhe të jenë të përgatitur për të përshtatur llojin e mbështetjes së ofruar.
“Kjo do të thotë të lëvizim urgjentisht për të shtyrë të gjithë bazën tonë industriale të mbrojtjes për t’i siguruar Ukrainës mjetet që do t’i nevojiten”, tha Austin.
Duke e përshkruar pushtimin e Rusisë si “të paligjshëm”, ai shtoi: “Tani ne po shohim suksesin e dukshëm të përpjekjeve tona të përbashkëta në fushën e betejës”.
Të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ushtria e vendit të tij kishte kryer së fundmi sulme të suksesshme kundër forcave ruse që kontrollojnë zona të mëdha të Ukrainës në jug dhe në lindje dhe rimorën vendbanimet pranë qytetit verilindor të Kharkiv.
Ai nuk dha detaje, por zyrtarët ukrainas dhe pro-rusë raportojnë për luftime rreth Balakleya, 60 km në jug-lindje të Kharkiv.
Sekretari i Mbrojtjes i Mbretërisë së Bashkuar Ben Wallace thotë se ka shenja që Ukraina po bën përparim ushtarak.
Presidenti rus Vladimir Putin e mohoi, duke thënë: “Ne nuk kemi humbur asgjë dhe nuk do të humbasim asgjë”.
Rusia thotë se po lufton neo-nazistët në Ukrainë, një pretendim i hedhur poshtë gjerësisht, dhe se ajo është e kërcënuar nga marrëdhëniet e forta të aleancës së NATO-s me Ukrainën.
Që nga pushtimi më 24 shkurt, OKB-ja ka regjistruar të paktën 5.718 vdekje të civilëve, me 8.199 të plagosur, dhe më shumë se shtatë milionë ukrainas janë regjistruar si refugjatë në të gjithë Evropën. Ndërsa nuk dihet numri i ushtarakëve të vrarë.




