Socialistët që nuk flasin dhe nuk dëgjojnë për hallet e Vlorës

0
0

Ditën e sotme ministrja e Jashtme Elisa Spiropali shkoi në Vlorë për të marrë pjesë në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa akoma drejt BE-së”.

Por me të bërë disa hapa në Vlorë, ministrja u përball me zemërimin e qytetarëve, të cilët kishin dalë në protestë kundër vendimit të Këshillit Bashkiak për zhvendosjen e tyre nga zonat aktuale të tregtimit.

Vlonjatët ndaluan ministren për t’i qarë hallin, por kjo e fundit e kishte justifikimin në majë të gjuhës, duke u shprehur se nuk kishte dijeni, pasi ishte në Vlorë për diçka tjetër. Por si politikane e mirë, ajo premtoi që do të fliste me kryetaren e Bashkisë.

Do të flas me kryetaren dhe me anëtarët e Këshillit Bashkiak që të njihem më konkretisht me problemin tuaj”, u tha ajo qytetarëve.

E njëjta histori, në të njëjtin vend, por me protagonistë të ndryshëm, ndodhi edhe disa ditë më parë. Drejtuesi politik i PS në Vlorë, Bledi Çuçi, u pyet nga gazetarët lidhur me transferimin e Kadastrës së Vlorës në Tiranë, por ai nuk kishte dijeni për këtë vendim.

Kur ka dalë vendimi? Sot ka dalë? Nuk e di”, u shpreh Çuçi.

I pyetur nëse do të këmbëngulë që zyra e Kadastrës të vijojë të funksionojë në Vlorë, për të dalë nga situata e mosinformimit, ai u fsheh pas ironisë duke deklaruar se “edhe qeveria duhet të vijë në Vlorë”.

Pra socialistët, të cilët kanë në dorë pushtetin vendor dhe qendror në Vlorë, nuk janë në dijeni për vendimet që merren, as nuk flasin me njëri-tjetrin dhe as nuk dëgjojnë apo lexojnë lajme.

Ndërkohë, Vlora është përballur me disa problematika gjatë muajve të fundit. Qyteti mbeti pa ujë për disa ditë për shkak të çarjes së një tubacioni, ndërsa më pas u përfshi nga përmbytje për shkak të kanalizimeve dhe busteve të bllokuara, duke bërë që uji të vërshojë në rrugë dhe në banesa.

Po ashtu, me vendimin e ri të Lorena Goxhobellos për transferimin e Kadastrës së Vlorës, qytetarët janë të detyruar të udhëtojnë drejt Tiranës për çdo dokument pronësie./boldnews.al

Zjarr Tv Ad