Po mbahet sot në Gjykatën e Sarandës masa e sigurisë për autorin e krimit të vrasjes së turistit portugez pas sherrit në lokalin “Princepotes” në Ksamil, Sokrat vata dhe 12 të tjerëve, nga të cilët dy në mungesë.
Teksa vijon në Gjykatë seanca për caktimin e masave të sigurisë për 12 personat e arrestuar në lidhje me vrasjen e 20-vjeçarit portugez, Luis Mendes, janë publikuar edhe pamjet e shoqërimit të tyre në masa të forta sigurie nga Policia.
Në momentin e ardhjes së të arrestuarve, të afërm të Sokrat Vatës, i cili është autori i dyshuar i ngjarjes, po prisnin jashtë ambienteve të gjykatës.
Në pamjet e siguruara jashtë gjykatës, një grua dëgjohet duke iu drejtuar Vatës:
“Sokrat, jemi këtu o shpirt”.
Ndërsa një tjetër person, një burrë, e thërret në gjuhën turke:
“Sokrat, abi”, që në shqip do të thotë “Sokrat, vëlla”.
Të arrestuarit janë shoqëruar në Gjykatën e Sarandës nën masa të rrepta sigurie nga forcat “Shqiponja” dhe FNSH-ja.
Sokrat Vata akuzohet për vrasje, ndërsa ndaj 10 personave të tjerë janë ngritur akuza të ndryshme, përfshirë “përkrahje të autorit të krimit”, “moskallëzim krimi” dhe “mosmarrja e masave për ndërprerjen e paligjshmërisë”.
Seanca për caktimin e masave të sigurisë vijon prej më shumë se një ore.
Personat e përfshirë dhe rolet e tyre në ngjarje
1. Sokrat Lipan alias Sokrat Vata – autori i dyshuar i krimit, i arrestuar.
2. Nuh Mahmutoglu – shtetas turk, i arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
3. Ezgi Perlak – shtetase turke, e arrestuar; dyshohet se ndihmoi autorin në tentativën për t’u arratisur.
4. Serxhi Selimi – kamerier në lokal.
5. Ervis Bunci – kamerier në lokal.
6. Ildi Cekani – kamerier në lokal.
7. Murat Zhabina – kamerier në lokal.
8. Miosid Matushaj – oficer i Policisë në Gjirokastër; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
9. Luciano Seferi – punonjës i Policisë së Burgjeve në Fier; i arrestuar, por ende nuk është pezulluar nga detyra.
10. Romeo Shehu – polic bashkiak në Gjirokastër; i arrestuar dhe i pezulluar nga detyra.
11. Kristi Koshi – i arrestuar; funksioni apo vendi i tij i punës nuk dihet.
12. David Heurtevent – klient në lokal, i shpallur në kërkim si bashkëpunëtor në krim.
13. Bekim Bulica – pronar i lokalit, i shpallur në kërkim për fshehjen e krimit.






