Policia e Vlorës ka kryer edhe dy arrestime të tjera lidhur me ngjarjen e ndodhur në Zvërnec, ku qytetarë protestuan kundër ndërtimeve në zonat e mbrojtura dhe një prej tyre u tërhoq zëvarrë nga rojet e sigurisë të maskuar dhe u dhunua.
Policia sqaron se në pranga janë vene dy persona pasi kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, ndërsa më parë ishte arrestuar edhe kreu i shoqërisë private, gerald Biba, që ndodhet në paraburgim me masë sigurie.
Ashtu si Biba, të arrestuarit nuk figurojnë të regjistruar si roje sigurie.
Ndaj të ndaluarve Gjykata ka lëshuar masat arrest me burg për “heqje e paligjshme të lirisë”.
“Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasit A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”, thuhet mes të tjerash në njoftimin zyrtar.
Ngjarja solli reagime të forta si nga qytetarët, ashtu edhe nga Policia e Shtetit.
“Të dy akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B. (të arrestuar), kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E. S., të cilit i kanë shkaktuar dëmtime trupore. Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasit e ndaluar, A. G. dhe G. V., nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike”, sqaron policia.
Njoftimi i plotë
“Vijojnë hetimet intensive në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës për të nxjerrë përpara përgjegjësisë penale, të gjithë autorët e veprimeve ose mosveprimeve të kundërligjshme të kryera gjatë tubimit të zhvilluar më datë 30.05.2026, në Portonovë, Zvërnec.
Ndalohen dhe vihen në pranga 2 shtetasit që tërhoqën me forcë, pjesëmarrësin në tubim.
Në vijim të veprimeve hetimore dhe procedurale, për zbardhjen dhe dokumentimin e të gjitha rrethanave dhe të gjitha përgjegjësive për këtë ngjarje, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kapën dhe ndaluan shtetasit A. G., 35 vjeç dhe G. V., 41 vjeç, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Vlorës iu ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Të dy akuzohen se në bashkëpunim me shtetasin G. B. (të arrestuar), kanë tërhequr me forcë, drejt vendit të rezervuar për rojet, pjesëmarrësin në tubim, shtetasin E. S., të cilit i kanë shkaktuar dëmtime trupore.
Më tej, nga verifikimet rezultoi se shtetasit e ndaluar, A. G. dhe G. V., nuk figurojnë të regjistruar apo të licencuar nga asnjë subjekt për shërbim privat të sigurisë fizike.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme”.




