Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu deklaroi se Urgjenca Kirurgjikale e Tiranës që ndodhet në QSUT do të transferohet nga dita e premte në spitalin e Traumës.
Në një dalje para mediave Manastirliu theksoi se kjo është fillimi i një lufte, ndërsa ftoi qytetarët që të jenë vigjilentë. Mes të tjerash ajo tha se 27 testet e kryera në spitalin e Fierit, që iu nënshtruan mjekët dhe infermierët, rezultuan negativ.
“Duke filluar nga dita e premte, të gjitha urgjencat kirurgjikale do të kryhen tek Spitali Universitar i Traumës. Po shtojmë kapacitetet për mjetet e mbrojtjes personale dhe respiratorët në spitale”, tha ministrja.




