Friday, June 5, 2026
Ballina Aktualitet U vra në krye të detyrës, mbahen homazhet për “Dëshmorin e Atdheut”...

U vra në krye të detyrës, mbahen homazhet për “Dëshmorin e Atdheut” Enea Mekolli

0
7

Në qytetin e Pogradecit po zhvillohen homazhe për efektivin e Policisë së Shtetit, Enea Mekolli, i cili u shpall “Dëshmor i Atdheut” pas humbjes së jetës në krye të detyrës gjatë një operacioni policor në Lozhan të Maliqit.

Ndonëse protokolli shtetëror parashikon që Dëshmorët e Atdheut të prehen në varrezat e posaçme në Tiranë, familja ka kërkuar që Enea Mekolli të varroset në vendlindje. Kjo kërkesë e familjes vjen për shkak se kanë patur edhe një djalë tjetër që ka qenë efektiv dhe që ka humbur jetën si pasojë e një sëmundjeje. Dhe ata duan që dy djemtë të prehen pranë njëri-tjetrit.

Homazhet në nderim të 34-vjeçarit kanë nisur në orën 10:00 dhe po zhvillohen pranë Qendrës Kulturore të Pogradecit, ku familjarë, miq, kolegë dhe qytetarë janë mbledhur për të shprehur respektin dhe mirënjohjen ndaj sakrificës së tij.

Siç mund ta shihni më poshtë, kolegët e Mekollit kanë vendosur në krah një shirit të zi, në shenjë zie dhe respekti për kujtimin e tij.

Në ceremoninë mortore mori pjesë edhe numri dy i qeverisë, Albana Koçiu.

“Humbja e dëshmorit të atdheut, një ngjarje shumë e rëndë, sidomos në kryerjen e një detyre kaq fisnike sa mbrojtja dhe siguria e rendit publik. Ngushëllime të gjithë familjarëve, kolegëve të tij, të gjithë trupës së Policisë së Shtetit. Është një nga ato ngjarje që na bën të reflektojmë thellë mbi sakrificën dhe përgjegjësinë që mban ushtrimi i kësaj detyre, duke përfshirë edhe gjithë ngarkesën që familjarët, miqtë e kolegët kanë në momente të tilla. Një reflektim për të gjithë shoqërinë, për të garantuar akoma më shumë përgjegjësi dhe për të reflektuar akoma më shumë kur vjen puna te sjellja qytetare”, deklaroi ajo.

Në orën 14:00, do të zhvillohet ceremonia e përcjelljes për në banesën e fundit në fshatin Blacë, vendlindja e efektivit.

Zjarr Tv Ad