Kryetari i Bashkisë së Hasit, Miftar Dauti, ka reaguar lidhur me ultimatumet e kryeministrit Edi Rama për të gjithë bashkitë vendore, për të shkarkuar nga postet të gjithë nënkryetarët dhe drejtuesit e njësive administrative, të cilët nuk kanë përmbushur siç duhet detyrat e tyre.
Në një prononcim për Report Tv, Dauti tregon se Bashkia e Hasit po përballet prej kohësh me sfida të mëdha si dhe me një mungesë të theksuar të burimeve njerëzore apo kapaciteteve profesionale.
“Prej dy vitesh drejtoj këtë bashki dhe çdo muaj dërgojmë stafin në trajnime. Kemi mungesë të theksuar të kapaciteteve dhe nuk jemi në kushte komode për të larguar njerëzit që po i trajnojmë me fondet e taksapaguesve shqiptarë.
Ne jemi një Bashki me tre njësi administrative. Po përballemi me shumë sfida. Sepse kemi shërbime ndaj qytetarëve për vaditjen, zjarret. Ne jemi një bashki model që i kemi realizuar në kohë reale shuarjen e zjarreve. Në këtë aspekt është kontributi i madh i drejtorive të shërbimit pyjor, zjarrfikëseve, njësive administrative, të forcave vullnetarëve. Mendoj që ne e kemi justifikuar vetën me punë në shërbim të komunitet”, u shpreh Dauti.
I pyetur lidhur me mos shkarkimin nga detyra të nënkryetarëve e drejtuesve administrativë, kryebashkiaku thotë se: “Unë nuk jam për të mos iu përgjigjur urdhrit të Kryeministrit. Por jam për zbatimin e ligjit dhe vetëm ligjit si ndaj administratës, qytetarëve, Kryeministrit dhe Ministrisë që jemi në varësi”. Dauti shton se nuk kemi një bazë ligjore apo një shkresë zyrtare për tu mbështetur, duke sqaruar së bashkia nuk ka komoditetin për të paga dëmshpërblyese për punonjësit e larguar që mund t’i drejtohen me të drejtë gjykatave.
“Unë e kuptoj Kryeministrin sepse ka bashki që ka gati 20 vite që e drejtojnë të njëjtit njerëz. Është normale që ka vend për ndryshime. Ka vend për punë dhe angazhime më të mëdha. Unë jam i prirur që çdo njeri që është i punësuar dhe paguhet nga taksat e qytetarëve duhet ta justifikojë veten me punë. Dhe vetëm me punë të zbatojnë ligjin. Dhe jam i përkushtuar që çdo moment ai që nuk zbaton ligjin të ndëshkohet. Gjithmonë në kompetencat që kemi dhe angazhimet që kemi marrë ndaj qytetarëve. Jo se nuk do të zbatojmë urdhrin. Ne do të zbatojmë ligjin. Fatkeqësisht ne nuk kemi edhe një shkresë aty ku mund të mbështetemi. Sepse me çdo largim ne përballemi me pjesën e drejtësisë se ata që shkarkohen ankohen. Nuk kemi kushte komode që nesër apo pasnesër që gjykatat t’i japin drejt një personi të shkarkuar dhe ne të paguajmë dy paga për një vend pune. Ne do të zbatojmë ligjin. Fatkeqësisht nuk kemi një shkresë zyrtare për t’u mbështetur. Çdo largim duhet të ketë bazë ligjore për të shmangur pasoja financiare për bashkinë”, tha ai.




