Gjykata në Hagë ka shpallur fajtorë 4 krerët e UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin, dhe i kanë dënuar në total me 81 vite burgim.
Hashim Thaçi dhe Jakup Krasniqi janë dënuar secili me nga 25 vite burgim, Kadri Veseli me 18 dhe Rexhep Selimi me 13.
Pas këtij vendimi kanë ardhur edhe reagimet e para të politikës shqiptare. Edi Rama ka zgjedhur ta komentojë vetëm me një fjalë vendimin e dhënë: Marrë!
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, dënoi vendimin e Gjykatës Speciale për dënimin e ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Natyrisht sot është një ditë jo e mirë për shqiptarët, për mbarë kombin, për familjet e ish-udhëheqësve politikë të Luftës Çlirimtare të Kosovës dhe të Kosovës, pasi gjykata e shkallës së parë në Hagë komunikoi vendime me të cilat në mënyrë absolute nuk arriti të substanciojë asgjë konkrete përveç deklaratave të përgjithshme që janë përsëritur me dhjetëra dhe qindra herë nga propaganda e Beogradit”, tha Berisha.
“Dha dënime tërësisht të pamerituara në vend që të shpallte pafajësinë në sallë në emër të të drejtës ndaj ish-udhëheqësve politike të Luftës Çlirimtare dhe të Kosovës. Me këtë rast, sigurisht që festë bëhet në Serbi, në Beograd për këto dënime të padrejta. Por asgjë nuk mund të errësojë luftën çlirimtare të popullit të Kosovës që ata udhëhoqën si faqen më të ndritur të luftërave të shqiptarëve për liri dhe dinjitet kombëtar pas luftërave të Skënderbeut. Ushtria Çlirimtare e Kosovës bëri një luftë me të cilën së bashku, dhe në mbështetje të NATO-s, dhe kjo ishte aleate në tokë e NATO-s, çliroi koloninë e fundit në Evropë, Kosovën nga pushtimi barbar serb”.
Ndërkohë Presidenti Bajram Begaj, shprehu “trishtim të thellë” për vendimin e sotëm, ndërsa vlerësoi vendosmërinë për apelimin e aktgjykimit.
“Trishtim i thellë për vendimin e sotëm.
Vendosmëria për të apeluar vendimin është shenjë e fortë integriteti dhe qëndrueshmërie. Për shqiptarët, askush dhe asgjë nuk njollos UÇK-në!






