Ngacmimi i gruas së autorit Gazmend Buçpapa, nga Egli Pashollari dyshohet se është bërë shkak për vrasjen me thikë të 31-vjeçarit pasditen e të premtes në Tiranë.
Sipas burimeve të policisë, bashkëshortja e autorit, e cila punon shitëse në një market në afërsi të vendit ku ndodhi krimi, i ka treguar burrit për ngacmimet e Pashollarit.
Gazmend Buçpapa, bashkë me gruan dhe një tjetër person rreth orës 15:40 u konfliktuan me 31-vjeçarin, ku dhe e goditën me thikë për vdekje.
Pas ngjarjes ata janë larguar me makinën e autorit dhe pasi e kanë braktisur kanë marrë taksi për në banesën e tyre në zonën e Sharrës. Pasi kanë shkuar në shtëpi, autori është arratisur, dhe tashmë ndodhet në kërkim nga policia.
Gruaja e tij është marrë në pyetje dhe ka thënë se viktima e ngacmonte shpeshherë dhe nuk e linte rehat.
Në pyetje janë marrë edhe prindërit e autorit, të cilët kanë dhënë të njëjtin version si gruaja.
Si ndodhi ngjarja
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 15:40, në rrugën “Kongresi i Lushnjes” në Tiranë, pranë Komisaratit nr.2 të Policisë.
Sapo ka dalë nga makina, 31-vjeçari është sulmuar nga tre personat. Gjatë përleshjes fizike, Gazmend Buçpapa dyshohet se e ka goditur të paktën një herë me thikë në kurriz.
Pashollarit i është dhënë ndihma e parë pranë një lokali në zonë dhe më pas është nisur me makinën e tij drejt spitalit nga disa persona të tjerë, dëshmitarë në vendngjarje. Megjithatë, ai nuk ka mundur të mbijetojë dhe ka humbur jetën gjatë rrugës për në spital.




