Një shtetas shqiptar ka humbur jetën pasditen e djeshme në ambientet e burgut të Korydallos në Greqi
Sipas mediave greke, viktima është Janis Aliaj, i dënuar në Shqipëri për vrasjen e Elton Çiços.
Ngjarja ndodhi në ambientet e brendshme të burgut, kur autori, me origjinë greke, sulmoi shqiptarin me një objekt të mprehtë të improvizuar si thikë.
I lënduari nuk arriti t’u mbijetonte plagëve. Të dy të burgosurit ishin të dënuar për vrasje.
Dyshohet se vrasja është pjesë e luftës që ka shpërthyer midis grupeve rivale të mafias shqiptare dhe se ndoshta ka pasur një “kontratë vdekjeje” kundër viktimës.
48-vjeçari Jani Aliaj, u arrestua një vit më parë nga autoritetet greke me dokumenta të falsifikuara, pas 9 vite që emri i tij ishtë në listën e kuqe të Interpolit.
Aliaj është i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasjen e Elton Çiços, më 1 maj të 2016 në zonën e ish-Bllokut.
Përplasja mes tyre ishte e hershme dhe kishte nisur që në vitin 2000.
Në atë kohë, Jani Aliaj goditi me thikë dhe vrau shokun e ngushtë të Elton Çiços. Kjo vrasje i hapi rrugën përplasjeve mes tyre. Disa vite me vonë u përplasën fizikisht në një burg në Greqi ku të dy po vuanin dënimin për trafik droge.
Përplasja çoi në plagosjen me thikë të Aliajit nga Elton Çiço. Në vitin 2015, Jani Aliaj u arratis nga burgu në Greqi.
Në 10 janar 2016 Aliaj ra pre e një atentati të organizuar nga Çiço, por nga breshëria e plumbave u plagos një kalimtar i rastit.
Po ashtu, më 25 prill të të njëjtit vit, në Gjirokastër, Aliaj ra pre e një tjetër atentati, por mundi t’u shpëtojë plumbave.
Disa ditë më vonë, më 1 maj 2026, ai vrau Elton Çiçon në zonën e ish-Bllokut.
I veshur me rroba sportive dhe me kapele në kokë, Aliaj u fut në lokalin ku ndodhej Çiço, së bashku me disa persona të tjerë dhe e ekzekutoi atë me dy plumba, duke e lënë të vdekur në vend. Edhe pas kësaj vrasjeje që tronditi opinionin publik, Aliaj arriti të arratisej.
U zhduk për 9 vite deri sa ra në pranga më 3 janar të vitit 2025, me dokumente false dhe me pamje tërësisht të ndryshuar nga ajo që kishte në foton e Interpolit.
Shteti shqiptar kishte nisur procedurën e ekstradimit të tij drejt Shqipërisë. Për shkak të dënimit me burgim të përjetshëm për vrasje, po ashtu edhe për dyshime për pasuri me burim të pajustifikuar, Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në vitin 2023 i konfiskoi shtatë pasuri.




