Zbardhet letra e Veliajt drejtuar GJKKO: Jam rrëmbyer nga paraburgimi i Durrësit me urdhër të Ramës

Share

Seanca gjyqësore ndaj Erion Veliajt dhe të pandehurve të tjerë është shtyrë për më 17 nëntor, në orën 10:00.

Shkak për shtyrjen është bërë mungesa e disa prej avokatëve të të pandehurve.

Gjatë seancës, gjykata lexoi edhe një shkresë të dërguar nga Erion Veliaj prej paraburgimit të Fierit, ku ai ngre pretendime lidhur me transferimin e tij nga burgu ku mbahej më parë dhe kërkon hetim.

“Siç jeni vënë në dijeni nga mediat ditët e fundit, unë jam rrëmbyer nga një togë shoqërimi policësh pa më thënë se ku do më dërgonin, pa dijeninë time, 100 km larg gjykatës ku po gjykohem dhe larg gruas me dy të mitur dhe nënës time pensioniste. Toni Gogu më ka vizituar pas transferimin dhe më ka thënë që kjo ka ndodhur me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama. Më ka thënë që prokurorët ishin gati të shtonin akuza deri tek ajo e prishja e rendit kushtetues. Kjo si ndëshkim që kam mbështetur protestën e flamingove dhe studentëve, por kjo është e vërtetë aq sa është i vërtetë kallëzimi i Nesti Angonit dhe Nasta Pëllumbit. Kërkoj nga gjykata të marrë masat e duhura për ta verifikuar këtë që ka ndodhur”, thuhet në shkresën e lexuar nga gjykata.

Nga ana tjetër, gjykata relatoi se institucionet e burgjeve nuk e kishin vënë në dijeni për transferimin e Veliajt drejt Fierit.

Sa i përket pretendimit se transferimi është kryer me urdhër të kryeministrit Edi Rama, gjykata nuk ka kompetencë të nisë hetime për pretendimet e ngritura nga Erion Veliaj, por kjo mund të shihet si një përpjekje e tij për të krijuar një mburojë procedurale. Pra në rast se gjatë procesit ndaj tij rëndohen akuzat, gjykata të angazhojë organet e prokurorisë për të hetuar pretendimet e tij.

Read more

Local News