Thursday, April 23, 2026
Ballina Aktualitet Zbulohet origjina e verës 30 mijë euroshe mbi tryezën e Ramës

Zbulohet origjina e verës 30 mijë euroshe mbi tryezën e Ramës

0
36

Kjo është historia e çuditshme e një cope letre të harruar mbi në një arkë, e cila shpërbën fillin e një peripecie që shkon deri në tryezën e pijes kryeministrore. Atë letër faturë, oficerët e BKH-së e gjetën mes kartonëve të bodrumit të vilës që kishte Ergys Agasi në zonën e rezidencave qeveritare në plazhin e Durrësit.

Me urdhër të SPAK hetuesit gjendeshin aty në zbatim të masës “arrest me burg” për atë që ish zv/kryeministri Arben Ahmetaj e kishte etiketuar si “kordinatori i Edi Ramës me bandat kriminale”.

Në këtë kuadër ata kontrolluan shtëpinë dhe bodrumet, ku njësoj si në kompleksin Equos Resort gjendeshin vera dhe shampanjë e shtrenjtë. Por në njërën mes arkave të stivuara, e harruar aty, u gjend edhe një faturë si ato të ëester Union e kompanisë Fast&Freesh Ajola. Hetimi u thellua në këtë pikë dhe kompania rezultoi të ishte në pronësi të biznesmenit, Andis Pepa, emri i të cilit aktualisht është regjistruar në dosjen e grupit të strukturuar kriminal.

Në aktivitetin e saj rezultonte edhe importimi në periudhën tetor 2024- nëntor 2025 i pijeve me çmime marramendëse. I gjithë aktiviteti i blerjeve të këtyre verërave, sipas një dokumenti të SPAk që Lapsi.al ka lexuar shkonte diku tek 1.1 milionë euro. Por historia nuk mbaron këtu. Këto vera pastaj i faturoheshin kompanive të Ermal Beqirit, njërit prej përfituesve të mëdhenj të tenderave të AKSH-it ndaj të cilit është dhënë masa e arrestit me burg si pjestar i grupit të strukturuar kriminal që përvetësonte paratë publike. Në këtë pistë hetimi i SPAK është thelluar edhe më shumë. Ata kanë marrë në pyetje biznesmenin Andis Pepa që importonte verërat. Ai ka treguar se është paguar, herë kesh dhe herë jo, nga një punonjëse e Ermal Beqirit, Arjola Koromani. Ajo përveçse derdhte paratë bënte dhe përzgjedhjen e llojit të etiketës që ishte e destinuar të konsumohej në nivele shumë të larta. 

Në dosjen e gjykatës që ka vendosur sekuestrimin e pasurive të Drejtoreshës së AKSH, Mirlinda Karçanaj, Ergys Agasit dhe Ermal Beqirit, Thuhet: “Dyshimet se këto produkte janë paguar dhe porositur për llogari të të hetuarit Ergys Agasi, janë konfirmuar dhe nga shpjegimet e të hetuarit Andis Papa”. Ai ka shpjeguar para hetuesve se: “… Jemi marrë dhe me import verash të shtrenjta, të cilat kryesisht kanë qenë porosi të shtetases Arjola Kormani…”
Ndërsa lidhur me blerjet e pijeve të shtrenjta alkoolike, ai shpjegoi se: “Dua të sqaroj se rreth vitit 2023 më është kërkuar nga shtetasja Arjola Koromani, si përfaqësuese e shoqërisë Soft & Solution, që të importonim disa vera meqënëse kompania Fast & Fresh mund ta kryente si procedurë. Porositë i ka bërë gjithnjë në mënyrë të drejtpërdrejtë shtetasja Arjola Koromani, madje dhe fatura që më vinte në dispozicion, ka emrin Arjola për sipër, pasi porositë i bënte direkt ajo por, në emrin e shoqërisë Fast & Fresh. Pagesat për këto produkte, bëheshin në këtë formë, pra ajo bënte porosinë, mua më vinte fatura nga shitësi dhe unë bëja pagesën me bankë nëpërmjet Union Bank. Më pas, Arjola i paguante verërat në varësi të likuiditetit, kishte dhe raste që lekët vinin nga shoqëria Soft & Solution, paraprakisht, me bankë dhe më pas kaloja në pagesa kesh. Kur nuk kishte mundësi, ajo sillte dhe lekët kesh, në formën e paradhënies. Dua gjithashtu të sqaroj se shoqërisë Soft & Solution nuk i kemi shitur verëra me fitim, por gjithnjë me vlerën që i bleja, ky fakt edhe për shkak të bashkëpunimit dhe njohjes me Ermal Beqirin…”

Niskur nga kryqëzimi i fakteve dhe të dhënat e hetimit SPAK dyshon se kjo sasi pijesh të shtrenjta që arrin shumën  94 423 883 lekë të reja, ishin pjesë e paketës së ryshfeteve që Ermal Beqiri jepte për tenderat që merrte në AKSH

“Ato përbëjnë përfitim të parregullt e korruptiv të të hetuarit Ergys Agasi, i cili në bashkëpunim me të hetuarën Mirlinda
Karçanaj kanë mundësuar shpalljen fitues të operatorëve ekonomikë Soft & Solution shpk; Fastech shpk; First shpk si dhe shoqërive të tjera të lidhura me to”, thuhet në dosjen e SPAK.

Pikërisht verat e importuara nga kompania e Andis Papës ishin pjesë e asaj xhalos mediatike që ndodhi në Equos Resort, ku pas sekuestrimit ato u zhduken. Mes tyre gjendeshin edhe shishet e famshme burgonjase, Romanee e Conti, të cilat kushtonin mbi 30 mijë euro një copë.

Ato shishe të rralla që grupi kriminal që pasi vidhte para publike, rrëmbente njerëz për ti frikësuar që mos merrnin pjesë në tendera, i konsumonte në darkën në tryezën e Edi Ramës. Kur Arben Ahmetaj, në intervistën për Cim Pekën e tha këtë fakt, pra se Rama dhe Gys Agasi pinin verëra nga 30 mijë euro shishja kjo u duk në një ekzagjerim. Por kur në qilarin e Agasit u gjetën shishet Romanee e Conti dhe sidomos kur ato u rrëmbyen pë lënë gjurmë edhe pas sekuestrimit gjithçka u bë më e qartë.

Por, sot përpos kësaj ne dimë edhe rrugën se si vinin ato deri në darkat kryeministrore. Falë parave publike që fitoheshin nga tenderat e AKSH-it, prej kompanive të Ermal Beqirit i cili më pas paguante kompaninë Fast&Freesh, për ti sjellë ato në Shqipëri. Dhe të mendosh se e gjitha kjo u zbardh nga një faturë e harruar rastësisht në një nga arkat e bodrumit të vilës në bllok të Ergys Agasit./Lapsi.al 

Zjarr Tv Ad