Edi Rama, ka premtuar këtë të shtunë bonus qiraje për të gjithë banorët e prekur nga zjarri i regjistruar pak ditë më parë, në kompleksin “Arlis” në Tiranë, ku u shkrumbuan mbi 30 apartamente.
Rama ka premtuar se banorët do të marrin bonus qiraje, derisa pallati të jetë riparuar nga vetë ndërtuesi Armand Lilo, ndryshe nga sa u shpreh më herët se pallati do të rindërtohet 100% nga ky i fundit.
“Banorët e prekur nga zjarri në banesat e tyre do të mbështeten me bonuse qeraje, deri kur të rikthehen së shpejti në pallatin e riparuar 100% nga ndërtuesi.”, ka deklaruar Rama.
Kujtojmë se pas zjarrit në një deklaratë për mediat, Rama premtoi se pallati do të rindërtohej 100% nga Armand Lilo, por vetë ky i fundit u shpreh se kompania do të marrë përsipër vetëm rikuperimin e fasadës dhe apartamentet e prekura, jo rindërtimin 100% të pallatit.
Mbetet për tu parë tashmë nëse pallati do të rindërtohet apo riparohet dhe si do të procedohet me rastin, i cili u ka kushtuar dëme të pallogaritshme banorëve.




