Rritja e rrogave do t’i kthejë emigrantët shqiptarë në atdhe thotë avokat Spartak Ngjela. I ftuar në emisionin Shqip nga Rudina Xhunga, zoti Ngjela thotë se rroga minimale duhet të jetë minimalisht 50 mijë lekë. Zoti Ngjela thotë se është një urgjencë rritja e rrogave, përndryshe të gjithë do të ikin. Ndërsa po u rritën rrogat shton Ngjela, do të kthehen të gjithë.
“Rroga minimale është 300 mijë lekë dhe kryeministri nuk bën lëshim. Rrogat duhet të jenë 500 mijë lekë të vjetra minimumi. Rroga minimale e administratës duhet të jetë jo më pak se 1 milionë lekë. Adam Smith thotë puna është mall, dhe mallin unë e shes ku dua unë.
Si ndodh kjo?!
E zëmë se fondi i pagave është 10 miliardë euro. Unë thashë që fondi duhet të shkojë në 20 miliardë euro. Shteti ka rezerva, ia del ta bëjë këtë rritje. Të gjitha këto para do të rrisin konsumin. Rritja e konsumit, na pasuron të gjithëve. Por fondin kryesor e ka shteti me pagat. Kjo quhet pompimi i parasë në treg.
Po ju tregoj rastin e Polonisë. Ikën gati 5 milionë polakë nëpër Evropë sepse rrogat ishin 300 dollarë maksimalja. Kur erdhën reformatorët, i rritën menjëherë rrogat 500 dhe 1000 dollarë.
Po të ndodhë kështu edhe në Shqipëri, edhe emigrantët tanë do të kthehen. Vërtet shqiptarët punojnë jashtë se marrin rroga më të larta, por edhe shpenzimet i kanë gjithashtu më të larta.
Dhe jo vetëm emigrantët por edhe biznesi i madh që është në Perëndim, i cili nuk vjen këtu sepse nuk ka legjislacion”, u shpreh Ngjela.