Një burrë është arrestuar për pakot që përmbanin lëndë shpërthyese, dërguar në SHBA, politikanëve demokratë dhe personave të tjerë që kritikonin Trump. Bëhet fjalë për një 56 vjeçar të bardhë, i quajtur Cesar Sayoc, me preçendentë të mëparshëm për kërcënime terroriste.
Sayoc, i cili është ndaluar në Miami, është akuzuar për 5 krime federale dhe rrezikon deri në 48 vjet heqje lirie. Ndërkohë janë identifikuar edhe dy pako të tjera të dyshimta: janë të paktën 14 në total. E para nga dy pakot u identifikua para se t’i dërgohej ish shefit të CIA James Clapper, ndërsa e dyta ishte destinuar për Tom Steyer, financues i demokratëve.
Cesar Sayoc është në të vërtetë një ish-striptist, i fiksuar pas fitnesit, i cili kishte si ëndërr të bëhej një boksier profesionit. Lajmi bëhet i ditur nga mediat amerikane, të cilat citojnë disa burime, sipas të cilave del se Sayoc kishte edhe probleme me përdorimin e steroideve.
Deri tani janë identifikuar 13 pako me lëndë eksplozive. Shumë janë dërguar nga një postë në Florida. Pakoja e fundit ishte adresuar për tek senatori demokrat Cory Booker, edhe në këtë rast, një ndër zërat më kritikë kundër Donald Trump.
Mbi dritaret e personit të arrestuar gjatë hetimeve për pakot-bombë, rezultojnë disa foto të presidentit Donald Trump. Këtë e demostrojnë pamjet e CNN, të marra nga një helikopter. Mbi dritare duken edhe flamuj amerikanë, simbole të presidencës amerikane dhe një ofendim për CNN, një ndër kanalet kundërshtare të Trump. Fbi: “13 pakot nuk ishin false, mund të shpërthenin”. Një gjë të tillë e deklaroi në një konferencë për shtyp drejtori i FBI, Chris Wray.