Në Shqipëri autoritetet njoftuan sot se Irani ka goditur sërish një prej sistemeve të rëndësishme informatike, atë të regjistrimit të hyrje-daljeve nga vendi, i njohur si sistemi TIMS.
“Një tjetër sulm kibernetik nga të njëjtët agresorë, tanimë të ekspozuar dhe dënuar prej vendeve aleate e mike të Shqipërisë, është shënuar mbrëmë mbi sistemin TIMS”, bëri të ditur kryeministri Edi Rama në një postim në Twitter.
Burime zyrtare nga policia shqiptare i thanë Zërit të Amerikës se “bëhet fjalë për një sulm masiv, i ngjashëm me atë të 15 korrikut”, që goditi të gjithë strukturën e sistemeve qeveritare të informacionit. Të njejtat burime shpjeguan se sulmi është vënë re shpejt, dhe se autoritetet menjëherë kanë fikur sistemin për të shmangur dëmet e mundshme. “Ndërkohë, vazhdojmë punojmë përditë pa orar me aleatët për t’i bërë të papenetrueshme sistemet tona digjitale”, shkruajti kryeministri Rama.
Aktualisht në pikat kufitare po punohet manualisht për rregjistrimin e qytetarëve dhe mjeteve që hyjnë e dalin nga vendi. Zëri i Amerikës, ka mësuar se po bëhet verifikimi i imtësishëm i sistemit dhe se shumë shpejt ai pritet të vihet në funksion, ndoshta fillimisht në aeroportin “Nënë Tereza”.
Sulmi i mbrëmshëm pason vendimin e tre ditëve më parë të qeverisë shqiptare për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin, si reagim ndaj sulmit masiv kibernetik të muajit korrik, dhe njoftimin e djeshëm të Shteteve të Bashkuara, për vendosjen e sanksioneve të reja ndaj Ministrisë iraniane të Zbulimit dhe Sigurisë dhe ministrit të saj Esmail Khatibi për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tyre, duke përmendur mes këtyre aktiviteteve, sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
Irani reagoi duke hedhur poshtë akuzat.
Sipas zëdhënësit të ministrisë së Jashtme iraniane, Nasser Kanani, i cituar nga mediat vendase, “mbështetja e menjëhershme e Shteteve të Bashkuara ndaj akuzave fallso të qeverisë shqiptare dhe veprimi i nxituar i Uashingtonit, për sanksione të reja, të bazuara në akuza të paprovuara dëshmojnë qartësisht se ky skenar është hartuar nga administrata amerikane, e jo nga qeveria shqiptare. Tirana ra viktimë e skenarit që Uashingtoni sajoi kundër Republikës Islamike të Iranit”, mësohet të ketë deklaruar zëdhënësi.
VOA