Klodiana Lala ka komentuar gjurulldinë që shkaktoi një deklaratë e një personazhi që prezantohet në televizionet shqiptare si ekspert i kriminalistikës, Ervin Karamuçi, i cili tha se po qarkullon një video e një vajze të shoëbizz, e cila ka dalë nga telefoni i një personi në kërkim dhe se telefoni i tij është dorëzuar nga familjarët e tij në SPAK, duke krijuar dyshime se bëhet fjalë për telefonin e Ervis Martinajt.
Lala ka qenë mjaft e ashpër, duke i konsideruar këto deklarata si “broçkulla” nga persona që nuk kanë asnjë burim në SPAK, ndërkohë që tha se publikimi i këtij informacioni të rremë, por edhe shpërndarja e videos, nuk ka asnjë interes publik, por thjesht shkatërron jetën e një personi që nuk ka lidhje me krimin dhe nuk ka lidhje me taksat e shqiptarëve.
“Ka njerëz që nuk kanë asnjë kontakt dhe burim në SPAK dhe dalin flasin broçkulla në ekran, ngatërrojnë gjithë dynjanë. Kush anatomohet pastaj? Ne gazetarët.
Nuk dua të mbroj SPAK, por duhet të sqaroj dy momente thelbësore, SKY ECC nuk ka opsion për të dërguar video. Bie poshtë, si informacion i pavërtetë.
E dyta, rasti i Ervis Martinajt, dyshimet e familjarëve për rrëmbim dhe zhdukje, nuk hetohen fare nga prokuroria e posaçme. E treta, vajza që shfaqet në atë video, cilado qoftë ajo, nuk ka rëndësi fare, ne nuk jemi këtu për të bërë gjyq popullor. Është një vajzë e përfshirë në krim? Nuk më rezulton. Ësht një vajzë që ka nxjerrë dikë në pritë? Nuk më rezulton. Është një vajzë që ka marrë para nga taksapaguesit shqiptarë? Nuk më rezulton. Ka bërë punën e vetë, pse duhet të anatemohet një vajzë apo një grua sepse dikush do të bëjë shoë? Është e patolerueshme dhe duhet të marrë fund.
Disa njerëz duhet të ndalen, të lexojnë përpara se të shkojnë në studio dhe pastaj të flasin. Është shumë e lehtë për të shkatërruar jetën e dikujt dhe prandaj ne gazetarët e kemi parim, që po nuk pate të paktën dy burime nuk mund ta nxjerrësh”, deklaroi Lala në Euronews Albania.