KQZ, thirrje partive: Dorëzoni emrat për KZAZ, sot afati i fundit

0
4

Data 18 Mars shënon afatin përfundimtar për depozitimin e propozimeve për KZAZ-të. Deri tani asnjë nga partitë politike që e gëzojnë këtë të drejtë, nuk ka sjellë pranë KQZ-së propozime për komisionerë të nivelit të dytë”.

Kështu tha në një dalje për mediat ditën e sotme, zëdhënësja e KQZ, Drilona Hoxhaj, duke iu referuar përgatitjeve për zgjedhjet lokale të 30 qershorit.

Ajo deklaroi se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bën apel partive politike që kanë të drejtën të propozojnë anëtarë të KZAZ-ve që të respektojnë afatin ligjor për depozitimin e kandidaturave në KQZ.

Po ashtu KQZ këtkon që partitë politike të mos neglizhojnë respektimin e afateve ligjore për paraqitjen e propozimeve për administratën zgjedhore, sikundër ka ndodhur në çdo proces zgjedhor.

“Mos respektimi i afatit ligjor tregon mungesë përgjegjshmërie në përmbushjen e detyrimeve që ju ngarkon Kodi Zgjedhor. KQZ -ja është e vendosur të mos mirëkuptojë dhe as tolerojë vonesat në propozime, ndaj kërkon që partitë politike të depozitojnë urgjent propozimet e tyre për anëtarë të KZAZ-ve, brenda ditës së sotme dhe të mos bëhen shkak për cenimin e administrimit të procesit zgjedhor”, tha ndër të tjera Hoxhaj.

Ajo shtoi se administrata zgjedhore duhet të trajnohet dhe kualifikohet për kryerjen e detyrave dhe se vonesat në propozime cenojnë përgatitjen profesionale të komisionerëve, rrezikojnë mbarëvajtjen e procesit, dëmtojnë cilësinë e zgjedhjeve.