Partia Demokratike ka akuzuar deputetin socialist Taulant Balla si të përfshirë në bandat kriminale të Elbasanit. Në një deklaratë për media nga selia blu, zëdhënësja Floriana Garo e akuzoi Ballën si personin që ka porositur një vrasje në qytetin e Elbasanit.
Garo i referohet dëshmisë së Ardian Çapjas, të publikuar në media ditën e djeshme. Çapja ka thënë se vrasja e avokatit Ravik Gurra në Elbasan është porositur nga një politikan me emrin Taulant. “Mbiemrin nuk ia them se më rrezikohet familja”, ishte shprehur Çapja para hetuesve.
Sipas dëshmisë së Çapjas, vrasja e avokatit Gurra, i cili njihej për lidhjet me Emiljano Shullazin, është porositur pasi kishte përgjime të politikanit në fjalë.
PD i bën thirrje SPAK-ut të hapë dosjen e avokatit Ravik Gurra duke hetuar edhe rolin e Ballës.
Deklarata e plotë e zëdhënses së PD:
Në Parlamentin shqiptar, një deputet i Rilindjes, emrin nuk e ndërron kurrë si disa kolegë të tij, por mbiemra ka disa.
Ndryshe nga personazhi i filmit artistik shqiptar “Taulanti kërkon një motër”, Taulanti-deputet kërkon një mbiemër.
Herë na shfaqet si Balla, herë Bego, herë si Gurra, e herë tjetër si Xibraka.
Emri i tij, pa mbiemër, u shfaq para dy ditësh edhe në dëshminë e biznesmenit elbasanas, i akuzuar nga drejtësia për disa vepra penale, Ardian Çapja.
Si politikan, por edhe me një spaletë të re: si vrasës.
Çapja dëshmoi se avokati i tij Ravik Gurra është vrarë para tre vitesh për arsye se zotëronte përgjime të cilat implikonin një politikan të lartë. Emri i të cilit është Taulant.
Partia Demokratike dhe kryetari i saj e kanë denoncuar pafund implikimin e Taulant Ballës në aferat dhe aktivitetet e bandave të Elbasanit, konkretisht me Gentian Sharrën, me të cilin ekzistojnë qindra biseda telefonike.
Emri i tij është shfaqur edhe në dëshmitë e të penduarve të drejtësisë. Nuredin Dumani e ka përmendur emrin e tij, si funksionar i lartë i Partisë Socialiste në dëshminë e tij për prokurorët. Por nga Dumani deri te Çapja, Taulant Balla ka shkuar nga politikan i korruptuar në politikan qe porosit vrasje.
Partia Demokratike i kërkon SPAK të hapë dhe të hetojë dosjen e avokatit Ravik Gurra. Nëse organet e drejtësisë nuk ndajnë politikanët nga kriminelët dhe politikanët kriminelë nga politika, ata bëhen përgjegjës të drejtpërdrejtë për humnerën dhe rrezikun që i kanoset Shqipërisë.
Implikimi i politikanëve të lartë të qeverisë me malavitën vjen tashmë nga disa burime.
Denoncimi i vazhdueshëm i bandave dhe lidhjeve të tyre politike ka qenë një moto e kësaj foltoreje.
Ja pse protestohet ndër të tjera më 6 dhjetor. Për t’i thënë Europës dhe përfaqësuesve të saj se diçka nuk shkon në Shqipëri. Politika dhe krimin janë bërë një.
Ata që e duan atdheun do ta kuptojnë. Ata që e kanë shitur dhe futur në llogari offshore do të bërtasin. Taulantit që kërkon mbiemër do t’i duhet së shpejti të kërkojë edhe avokat për secilin llagap.