Lumenjtë e botës po thahen nga moti i nxehtë, ja si duken gjashtë prej tyre

0
33
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Mungesa e shiut dhe valët e pamëshirshme të të nxehtit po thajnë lumenjtë në SHBA, Evropë, Azi dhe Lindjen e Mesme. Shumë prej tyre po zvogëlohen në gjatësi dhe gjerësi. Pjesët e shtratit të lumit që dalin mbi ujë janë një pamje e zakonshme. Disa lumenj janë aq të tharë, saqë janë bërë praktikisht të pakalueshëm me varka.

Kriza klimatike e shkaktuar nga njeriu po nxit motin ekstrem në të gjithë globin, i cili nuk po ndikon vetëm në lumenjtë, por edhe tek njerëzit që mbështeten tek ata. Shumica e njerëzve në planet varen nga lumenjtë në një farë mënyre, qoftë për ujë të pijshëm, për ujitje, për energji apo për të transportuar mallra, raporton CNN.

Ja si duken gjashtë nga lumenjtë nga hapësira.

Lumi Kolorado

Lumi Kolorado po thahet dhe po zvogëlohet, pasi një thatësirë historike në perëndim të SHBA-së tregon pak shenja të zbutjes. Lumi mirëmbahet në mënyrë thelbësore nga dy nga rezervuarët më të mëdhenj të vendit dhe për të mbrojtur pellgun e lumit, qeveria ka zbatuar ndërprerjet e detyrueshme të ujit dhe u ka kërkuar shteteve të hartojnë plane veprimi shtesë.

Një nga këta dy rezervuarë, Liqeni Mead, po tkurret në madhësi pasi niveli i ujit po bie në statusin e një pishine – në atë pikë sa rezervuari nuk do të jetë aq i lartë që të lëshojë ujin përmes digës. Pasojat nga kriza e Lumit Kolorado janë masive: Rreth 40 milionë persona në shtatë shtete dhe Meksikë mbështeten në ujin e lumit për pije, bujqësi dhe energji.

Lumi Yangtze

Lumi Yangtze në Azi po thahet dhe shtrati i tij po del në disa zona. Degët e Yangtzes tashmë janë tharë intensivisht. Kina ka shpallur një alarm mbarëkombëtar për thatësirën për herë të parë në nëntë vjet, dhe vala e saj e të nxehtit është më e gjata në gjashtë dekada.

Ndikimi nga tharja e lumit është masiv. Në Sichuan, provincë e 84 milionë personave, hidrocentrali përbën 80% të kapacitetit energjetik. Shumica nga ajo vjen nga Lumi Yangtze, dhe për shkak të rrjedhës së ngadalshme, edhe prodhimi i energjisë është zvogëluar duke detyruar mbylljen e të gjitha fabrikave për gjashtë ditë.

Lumi Rhine

Rhine nis nga Alpet Zvicerane, rrjedh nëpër Gjermani dhe Holandë dhe më pas deri në Detin e Veriut. Është thelbësor për transportet evropiane, por tani është kthyer në makth që të lundrohet. Pjesë të shtratit të lumit kanë dalë mbi sipërfaqen ujore, që nënkupton se anijet nuk mund të kalojnë por të gjejnë kalime të tjera që e ngadalëson të gjithë procesin.

Lumi Po

Lumi Po përshkon majën e Italisë dhe derdhet në lindje në Detin Adriatik. Ushqehet nga bora e dimrit në alpe dhe reshjet e dendura në pranverë, dhe ka rënie të pjerrët që sjell rrjedhje të shpejtë. Zakonisht, përmbytjet shkatërruese janë një problem për këtë lumë.

Por tani, Po duket shumë ndryshe. Dimri ishte i thatë në veri të Italisë, kështu që bora ofroi pak ujë, e pranvera dhe vera kanë qenë të thata po ashtu, duke e zhytur rajonin në thatësirën më të keqe të përjetuar në shtatë dekada. Është aq i tharë sa një bombë e kohës së Luftës së Dytë Botërore u gjet kohët e fundit mes ujërave që po tkurren.

Lumi Loire

Loire në Francë përmban një luginë me vreshta që prodhojnë disa nga verërat më të famshme në botë. Lumi shtrihet mbi 600 milje dhe konsiderohet lumi i fundit i egër i Francës, duke mbështetur ekosistemet e biodiversitetit në të gjithë luginën, shumica e të cilave mbrohet nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsim, Shkencë dhe Kulturë.

Pjesë të lumit janë tashmë të cekët, por rrjedhja mund të ndryshojë shpejt me motin. Disa seksione janë aq të thara nga mungesa e shiut dhe i nxehti ekstrem sa njerëzit po mund të kalojnë me këmbë. Imazhet satelitore tregojnë më shumë shtrat të lumit se ujë të ekspozuar në Loire. Autoritetet po lëshojnë ujë nga digat në lumë, për të siguruar se ka mjaftueshëm për të ftohur katër termocentralet bërthamore që ndodhen përgjatë tij.

Lumi Danub

Danubi është lumi më i gjatë i Evropës Perëndimore dhe kanal i rëndësishëm për transport që kalon nëpër 10 shtete. Në Rumani, Serbi dhe Bullgari, punëtorët po gërryejnë lumin vetëm për t’u siguruar që anijet ende mund të lundrojnë në të.

Nuk është në gjendje aq të tmerrshme si lumenjtë e tjerë në Evropë, por shtetet si Hungaria janë aq të varura nga Danubi për turizëm, ndikimi tashmë ndihet. Disa anije nuk kanë mundur të kalojnë pjesë të lumit për të arritur në Hungari.

Zjarr Tv Ad