Nesër protesta e opozitës, Balliu: Do çajë digën diktatoriale të korrupsionit

0
60
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Shefi i organizimit në Partinë Demokratike, Klevis Balliu, shkruan se protesta e nesërme e opozitës do të çajë digën diktatoriale të korrupsionit dhe “gjithçkaje të zezë që është përdorur për ta zhbërë këtë popull dhe këtë vend”.

Përmes një statusi në Facebook ai thotë se “Protesta është një nga mjetet e mëdha motorike për ta ushqyer shpresën, por mbi të gjitha protesta ka fuqinë goditëse për ta çarë digën e së keqe që ka ngritur dhe që përbën diktaturën e Ramës”.

Statusi i Balliut

Protesta e 12 Nëntorit, aspiratë lirie dhe goditje ndaj diktaturës

Edi Rama në 10 vjet ka arritur të ngrejë një digë serioze që kulmoi me krijimin e një diktature të vërtetë në ushtrimin e pushtetit. Rama nga dita në ditë e ka mbushur këtë digë në radhë të parë me varfërimin e shqiptarëve, ai ka përdorur eskavatorët e korrupsionit siç janë konçesionet, PPP-t, ngritja pa tavan e vlerave dhe çmimeve nëpër tendera duke kapur “Everestin”. Pastaj në mbushjen e digës të së keqes vijnë pafund vjedhjet e përditshme nga taksat e panumërta dhe industria e gjobave. Të gjitha sëbashku kanë krijuar një aliazh të fortë që gjymton jetën e të gjitha moshave dhe që jep pasojat katastrofike në shpopullimim e vendit.

Në orët e përditshme të jetës, shqiptarët ndiejnë gjithashtu manipulimin dhe gënjeshtrën nga qeveria përmes falsifikimeve mediatike dhe veçanërisht dhunën në gjuhën e Kryeministrit.  Ky i fundit i fokusuar në një aktivitet të vërtetë inkurajues të krimit pa ndëshkim është bërë një aset i zi i kësaj dige diktatoriale.

Shqipëria në të gjithë klasifikimet botërore është në fund dhe e mbushur me skandale. Këto dhe shumë materiale që e bëjnë jetën tonë njerzore të dhimbshme përpiqen të vrasin shpresën. Por shpresa duhet mbrojtur, duhen ushqyer.

Protesta është një nga mjetet e mëdha motorike për ta ushqyer shpresën, por mbi të gjitha protesta ka fuqinë goditëse për ta çarë digën e së keqe që ka ngritur dhe që përbën diktaturën e Ramës.

Protesta e 12 Nëntorit është në kohën e duhur, është në unison me dhimbjen dhe thirrjen e vullnetit mbarë kombëtar. Thirrjen për protestë e bën sot i madh dhe i vogël. Protesta e 12 Nëntorit nuk është e radhës, është e nevojës urgjente, e pandalshme dhe si e tillë ajo do ta çajë digën diktatoriale të varfërisë, të korrupsionit, të tradhëtisë dhe gjithçkaje të zezë që është përdorur për ta zhbërë këtë popull dhe këtë vend.

Zjarr Tv Ad