Nga Elis Buba: Sa shqiptare është vërtetë muzika moderne shqiptare?

0
48
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Elis Buba: Të studiuarët e antropologjisë, më ka bërë të njoh, kuptoj, afeksionohem dhe me raste të dashurohem me “huqet” e njerëzve. Të studiuarët e historisë më ka bërë të shquaj, hulumtoj, çmoj, njoh dhe adhuroj të vërtetën, vendet, njerëzit, gjeografinë, ngjarjet, subjektet, objektet, simbolet dhe shqiptarizmën në tërësi. Të studiuarët e letërsisë, më ka bërë të dalloj filozofinë e mendimit, orientimin e fjalëve, të kuptoj dhe afeksionohem fort pas substancës së kontekstit dhe gjenialitetit shpesh të xhelozuar, që shpërfaqin vargjet, paragrafët dhe kapitujt. Të kuptuarët e të gjithës, vjen gjithnjë pas shqyrtimit të së gjithës. As më herët e as më vonë. Lëvrimat në botën artistike, në pikpamjen time janë shenjat e jetës së një shoqërie. Gjurmët që lënë artistët dhe krijimtaria e tyre, janë pulsi i kënaqësisë që ndjen një qytetar i kultivuar, kur i serviret kulturë ose derivate të saj.

 Sa shqiptare është “muzika shqiptare”?! Sa shqiptare është muzika që lëvrohet në gjuhë shqipe? Ndryshe nga rryma të tjera të artit, muzika moderne shqiptare, le të themi, (I referohem gjithnjë 30 viteve të fundit) pikë së pari nuk njeh një diferencim rrymash. Artistët e vetshpallur janë të kudondodhur stilistikisht, dhe vështirë të dallosh dorën e njërit “muzikant” nga tjetri. Në këtë rrenë të amullt, sikur vegjeton i gjithë tregu i muzikës. Kjo për mendimin tim, sepse në thelb të krijimtarisë nuk qëndron arti në vetvete, sesa konsumi i yshtyr nëpër klubet e natës. Kësisoj kultivohet një injorancë kolektive dhe një boshllëk shpirtëror që rrjedhimisht pasqyrohet edhe në shumë aspekte të tjera të jetës. Sa e shëndetshme është kjo, mbetet për tu diskutuar. Në pikëpamjen time dhe në bazë të gjithë përvojës ndërkombëtare të muzikantëve të shquar, mbi të gjitha respektin, suksesin dhe duartrokitjen e sinqert, e korr dikush që i qëndron benik stilit të tij dhe padyshim rrymës në muzikë. Përse në Shqipëri kemi me qindra artistë që as vetë, ndoshta, nuk e dinë saktë, cilës rryme muzikorë u përkasin?!   Sipas asaj që konstatoj unë, është sepse tregu shqiptar i muzikës është i mbipopulluar me këngëtarë, dhe i varfër deri në skamje me muzikantë, kompozitorë, instrumentistë, talente, virtuozë e artistë seriozë.

Duke mos pasur instrumentistë, rrjedhimisht që s’mund të kihet një lloj i vetëm stili muzikor, brenda një repertori, një rrymë identirare për këngëtarin. Përtej kësaj, ajo që është më e dhimbshme është që s’mund të kihet asesi interpretime të mirëfillta live, por vetëm teatër pantomimash dhe superpozim ndaj muzikës së luajtur me DJ- disc jockey, person që luan disqet. Këtu fillon edhe shkarkesa negative, regresi dhe varfërimi. Këtu fillon gënjeshtra ndaj vetes. E them këtë sepse me metodën e lartëpërmendur nuk sprovohet kurrë artisti, ose aspiranti për artist, këngëtari në këtë rast. Nuk sprovohet minimalisht vokali i tij/saj, që supozohet të jetë i vetmi element i gjallë në ngricën e skenës. Nuk kam koment për krenarinë që mund të ndjejë një “veteran/e” i skenës, teksa ua hedh sy ndër sy publikut dhe ndjekësve besnikë. Qartësisht është një gënjeshtër ndaj madhështisë së supozuar të vetes e së dyti ndaj publikut, si konsumator materialesh që u ka kaluar afati i skadencës.

Po! Publikut po u serviret një “art muzikor” skadent. Më saktë këngë që ndodh të mos u mbijetojnë as stinëve në të cilat janë publikuar. Dhe thuajse të gjithë pajtohemi me këtë pikiatë regresi në jetën kulturore që mban vulën shqiptare. Aspekti tjetër, i cili është sakatuar në masë të gjerë, për të hyrë edhe në thelb të temës, është krijimtaria origjinale. A është vërtet shqiptare muzika shqiptare?! Sipas informacionit, tashmë të qartë për të gjithë, kompozimet e këngëve që bëhen “hit”, brenda ditës, me shtytje nga shumë faktorë të tjerë jo artistikë, nuk janë shqiptare. Tingujt dhe meloditë blihen në internet me para dhe përvetësohet autorësia, duke përvetësuar materialin audio. Pra artisti krijues nuk krijon realisht asgjë. Asnjë element i asaj muzike nuk flet shqip, nuk përcjell autenticitet dhe s’ka të bëjë askund kulturalisht me elemente të traditës muzikore kombtare. Shumëkush mund të thotë se kjo është një dukuri ndërkombëtare. Por me këtë kontapuntë, nuk jam plotësisht dakort. Askund në botën e civilizuar, “playback-u” dhe stonaturat katastrofike me mikrofon në dorë nuk të shiten si “performancë live”. Së dyti, kudo në botë vlerësojnë kompozimin dhe orgjinalitetin, jo vetëm në muzikë, por në tërësi në art. Ndërsa këtu ushqehemi me një krijimtari të silokonuar, siç e ka cilësuar edhe miku im muzikanti i talentuar Lambert Jorganxhi, aktiv në mbajtjen gjallë dhe popullarizimin e krijimtarisë më të vyer të kompozitorëve të shquar shqiptarë. Na serviret fasadë dhe art me “hormone joartistike”.

Sa shqip flet realisht kënga që këndohet në gjuhën shqipe? Mund të supozohet, se të paktën elementi i mberritur gjallë, në thertoren artistike të muzikëbërësve, është teksti. Të paktën ngushëllohemi se po lëvrohet njëçik poezi shqip. Bashkë me mua, edhe shumë të tjerë, nuk janë plotësisht dakort. Sepse vitet e fundit tekstet e këngëve po gërshetojnë më shumë se një gjuhë ndër vete, me qëllim që të mbërrihet ndërkombëtarizimi i artistit dhe produktit artistik. Rezultati është një lëmsh gjuhësor dhe edhe kënga mbetet pa një identitet të mirëfillt. Sa për të dhënë një shembull, përsa i takon poezisë në këngë, sahati im personal, ka mbetur te Ritfolk dhe do citoja specifikisht “Ndjenjë e dashuruar”, si një kryevepër poetike nga Ervin Hatibi. Gjithsesi kjo mbetet subjektive. Refrenin e këngës në fjalë mund ta gjykoni vetë më poshtë:

“Harrohemi në brigje prekjesh

në kengë vetetimash

në dete të artë buzeqeshjesh

ecim mbi perla vargjesh

në majat e lira

ku vetëm një zë është dëgjuar

hej hej jam … dashuruar”

Për mua këto pak rreshta janë “Maja e çelur” e frymëzimit. Më kujtojnë Poradecin dhe “Ti po vjen që për së largu”. Pas dëgjimit më vëmendje të tyre, pllakos heshtja e reflektimit. Do të dëshiroja që e ardhmja të jetë po kaq e begatë artistikisht e të ketë edhe më shumë, “Valse të lumturisë” “Rrisim jetën tonë” “Fati ynë shpresë e marrëzi” “Këtu s’do të jem” “Shiu i verës” “Pyes lotin” “Zemra e një gruaje” “Dëshirë dhe heshtje” “Dikur luaja me ndjenjën e saj ” “Duam të jetojmë” “Drejt fatit tim” “Kam një lot pikon si ar” “Beso në diell” “Era” e shumë të tjera të interpretuara live, direkt e le të shohim se si ovoluon kënga me moshën e artistit. Shqyrtoj subjektivisht sakaq… Sepse ndoshta dikush dëshiron edhe më shumë produktivitet nga pena ende e frymëzuar e Alban Skënderajt, apo dikush tjetër uron të ketë ende bashkëpunime mes Pirro Çakos dhe Elvana Gjatës. Shumë të tjetë urojnë të ketë më shumë pjesë të Noizyt, të ngjashme me “Mbretëresha ime”, që përlot vërtet, nën rrethana të caktuara. Rëndësi ka që të kuptohet se shndërrimi në artist nuk është thjesht çështje dëshire, se sa çështje angazhimi e pune vetmohuese voluminoze. Me pasion dhe dashuri. Siç thotë Ermal Meta “Njeriu (…edhe artisti) që do të bëhesh, nuk do të jetë kurrë më e madh se dashuria që jep.” “Lascia l’apparenza e prendi il senso” ka thënë Biagio Antonacci dhe duket si një mësim jetë përmbledhur në dy fjalë.  Rëndësi ka orgjinaliteti, rëndësi ka thelbi përmbi formën, rëndësi ka se sa mund të fusësh nga vetja në muzikën e këngën tënde. Sa mund të bashkangjisësh nga Shqiptaria në muzikën e këngët shqiptare./usalvision

 

Zjarr Tv Ad