Një gjest anakronik dhe diversionist i kryeministrit grek

0
74
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Preç Zogaj

“Ndëshkimi” i kryeministrit Edi Rama nga homologu i tij grek Micotaqis, duke mos e ftuar në samitin e Athinës për shkak të së ashtuquajturës çështja “Beleri”, ka gjetur papajtueshmëri të gjerë në opinionin publik shqiptar. Pavarësisht bindjeve dhe pozicioneve politike të qytetarëve.

Jo sepse nga Greqia që e humbi ‘de fakto’ BE-në para një dekade për shkak të papërgjegjshmërisë së elitës së saj dhe u mbajt brenda nga Berlini dhe Brukseli për arsye të natyrës gjeopolitike e historike, nuk mund të vijnë qëndrime kundër kryeministrit dhe qeverisë shqiptare. Absolutisht jo.

Në parantezë, Brukseli, Gjermania, Franca, Hollanda, Danimarka e kanë “ ndëshkuar” disa herë qeverinë “Rama”, në kuptimin që e kanë lënë në klasë në disa provime që lidhen me integrimin europian, duke ia shtyrë për një datë tjetër. Në të gjitha këto raste, sikurse për dajakun që ka ngrënë rregullisht kjo qeveri nga raportet e Departamentit të Shtetit për krimin dhe korrupsionin masiv, opozita dhe shumica e qytetarëve kanë qenë në një mendje me partnerët, mirënjohëse ndaj tyre që as verbohen, as ndikohen nga propaganda e Tiranës.

Por nuk mund të jenë në një mendje për rastin konkret me të nderuarin Micotaqis. Në të kundërtën, duke abstraguar nga qëndrimet pro apo kundër Ramës brenda vendit, ndihet se në regjistrin e ndjeshmërive ka lëndim dhe indinjatë traversale. Qytetarët nuk mund të pranojnë që kryeministrin e vendit të tyre t’ua fyejë kryeministri i Greqisë. Edhe sikur të kishte pak të drejtë, fyerjet janë të huaja për zakonet e mira. Veçanërisht në ketë rrafsh.

Aq më shumë po të mbajmë parasysh motivacionin e qëndrimit të zotit Micotaqis, i cili i taks kryeministrit Rama arrestimin dhe mbajtjen në burg të kryetarit të zgjedhur të bashkisë së Himarës, zotin Beleri dhe i kërkon lirimin e tij të menjëhershëm. Përndryshe, Shqipëria duhet ta harrojë integrimin në BE!

Qëndrime dhe qasje të tilla do të kishin sens në kohën e diktaturës apo para fillimit nga puna të drejtësisë së re me bashkautorësi amerikane dhe europiane në konceptim dhe zbatim. Po kohët kanë ndryshuar e po ndryshojnë sa i takon raportit të politikës me drejtësinë në Shqipëri.

Nga pikëpamja e opinionit të gjerë dhe të asaj pjese të opozitës euroatlantike që mbështet pa ekuivoke drejtësinë e re, por edhe të partnerëve të angazhuar amerikane dhe europianë, zoti Micotaqis i injoron zhvillimet e mëdha që kanë ndodhur e po ndodhin në korporatën e drejtësisë shqiptare drejt konsolidimit të saj si pushtet i pavarur. Në opinionin tim të shprehur në disa shkrime, kryeministri Rama, njëlloj si paraardhësit e tij, ka bërë lojën e vet për ta mbajtur nën kontroll dhe për të penguar në kushtet e reja sundimin e ligjit në sferat e larta. Çfarë ka qenë dhe është kuptimin i kapjes së drejtësisë nga një kastë plurale solidare që ka bërë teatrin e demokracisë, duke e parë veten mbi ligjin e duke vendosur të famshmen pandëshkueshmëri në sferat e larta. E njëjta kastë që sot, gjithnjë e më shumë, e sheh vetën përballë malit të aferave korruptive të pahetuara kurrë që po hapen e hetohen dita-ditës nga SPAK.

Duke ia faturuar kryeministrit Rama arrestimin dhe mbajtjen në burg të Belerit, zoti Micotaqis automatikisht i njeh atij një meritë që nuk e ka: atë se po heton dhe po çon në pranga ish ministra nga më kryesorët të qeverisë së tij dhe shumë zyrtarë të tjerë të lartë, çfarë nuk ka ndodhur asnjëherë në tri dekadat e demokracisë në Shqipëri. Me të njëjtën logjikë zoti Micotaqis do të mund ta akuzojë zotin Rama kur drejtësia e re që e ka nisur më dosjet korrruptive të qeverisë në fuqi, të çojë para ligjit ish ministra e ish zyrtarë të lartë të qeverive të mëparshme.

Jo, jo. Nuk e ka Rama ketë meritë. Ai dhe të tjerët si ai majtas e djathtas kanë ngritur dorën për reformën në drejtësi, duke shkuar me mendimin se mund ta tredhim rrugës. Kaq. Më tej drejtësia e re ka ecur në rrugën e saj mes shumë pengesash.

Stuhia që po ngrihet në Shqipëri kundër korrupsionit të lartë është eklsuzivisht vepër e SPAK dhe Gjykatës Speciale. Për to, në raport me të tretët, mund të thuhet vetëm një gjë: kanë mbështetje të fuqishme nga SHBA. Asgjë tjetër.

Në vend që të mbështesë e inkurajojë këtë zhvillim të ri jetik për shtetin ligjor dhe antikorrupsionin në Shqipëri, siç kanë bërë e bëjnë SHBA dhe BE-ja, Greqia, përmes kryeministrit të saj, bën të kundërtën. I kërkon Ramës të marrë atributet e kryeprokurorit dhe kryegjykatësit të vendit. I propozon Shqipërisë një shtet politik që Shqipëria po e lë prapa. Ja pse gjesti i tij është arkaik. Është edhe diversionist në kontekstin e problemeve të brendshme politike të Shqipërisë. Por pa të ardhme. Çështja “Beleri”, si molla e sherrit në ketë rast, mund të gjejë e duhet të gjejë zgjidhje pa humbur kohë si një çështje e drejtësisë.

Zjarr Tv Ad