PD: Baxhanaku i Ramës, prapa sigurisë së sistemeve dixhitale, shumica e fondit 190 mln euro u vodh

0
23
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Partia Demokratike dënoi sot me forcë, agresionin e regjimit iranian kundër infrastrukturës dixhitale të Shqipërisë, portalit e-Albania dhe sistemit TIMS dhe falënderoi për mbështetjen, SHBA-në, NATO-n dhe BE-në.

Zëdhënësja e PD-së, Floriana Garo, në një deklaratë, akuzoi qeverinë Rama për lehtësinë me të cilën, hakerat sulmuan këtë infrastrukturë të rëndësishme: “Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, aktin e parë që bëri, shkriu njësinë e sigurisë kibernetike duke e konsideruar si njësi spiunazhi dixhital”.

Më tej, Garo zbuloi në detaje sesi korrupsioni me fondet, ku është i përfshirë edhe baxhanaku i Kryeministrit, dëmtoi mbrojtjen e këtyre sistemeve, për të cilat ishin akorduar 190 milionë euro.

Në vazhdim, deklarata e plotë e PD-së dhënë sot nëpërmjet znj. Floriana Garo:

“Këto ditë, hakera të regjimit të ajetullahëve iraniane kanë ndërmarrë një agresion të vërtetë ndaj infrastrukturës dixhitale të vendit duke kërcënuar rëndë sovranitetin e vendit, sigurinë kombëtare, dhe duke krijuar kaos ë madh në shërbimet dhe lëvizjen e qytetarëve.

Me këto sulme, Irani ka dhunuar si shtet zuzar ligje dhe konventa ndërkombëtare.

PD dënon me forcën më të madhe këto akte banditeske të regjimit teokratik iranian dhe falënderon me mirënjohje dënimin e këtyre sulmeve nga SHBA, NATO dhe BE.

PD gjithashtu vlerëson mbështetjen e tyre për Shqipërinë.

Duke analizuar këto sulme të cilat asgjesuan sikur të ishte prej letre infrastrukturën dixhitale të vendit, PD shton se asgjesimi me kaq lehtësi i kësaj infrastrukture i ka rrënjët gjithashtu në dy faktorë të tjerë madhorë, konkretisht:

Së pari, hakerimin e sistemit për qëllime elektorale nga vet qeveria duke pajisur 1 milion patronazhistë me të dhënat personale të qytetarëve të depozituara në e-Albania në shkelje të Kushtetutes dhe ligjeve të vendit.

Pas këtyre, hakerimi me pasoja të rënda i pagave të punonjësve, targave të makinave, të gjitha këto paraprin hakerimin dhe defacto asgjesimin e ‘shtetit’ dixhital të Edi Ramës.

Për të gjitha këto krime dixhitale qeveritare deri sot, nga prokuroria e partisë nuk ka asnjë person apo grup personash të penalizuar. Qeveria qëndron mbi ligjet.

Së dyti, korrupsioni i tmerrshëm qeveritar në këtë rast i AKSHI-t.

Partia Demokratike deklaron se një nga arritjet më madhore të qeverisjes së viteve 2005-2013 ishte ndërtimi i një infrastrukture dixhitale, rritja vertikale e përdorimit të internetit nga 4.9% në vitin 2005 në 63% në vitin 2013, ndërtimi i resë të parë qeveritare në rajon, shtrirja e internetit në të gjitha shkollat e vendit, dixhitalizimi i plotë i kadastrës së Tiranës dhe disa rretheve të vendit, dixhitalizimi i Gjendjes Civile, letër njoftimet dhe pasaportat dixhitale, firma dixhitale dhe inagurimi i e government dhe e-Albania.

Të gjitha këto u arritën me angazhimin e kompanive më të mira shqiptare dhe të huaja.

Pas ndërtimit të kësaj infrastrukture, objektiva më madhore mbeteshin sigurimi i plotë i sistemit dhe pasurimi i arkivës së saj.

Për sigurimin e sistemit me rekomandimin e autoriteteve amerikane direkt në vartësi të Këshillit të Ministrave, u ngrit njësia e mbrojtjes kibernetike të sistemit e përbërë nga ekspertë të përzgjedhur dhe të kualifikuar në këtë fushë në SHBA.

Serverat e sistemit u vendosën në vendet më të sigurta brenda vendit.

Me ardhjen e Edi Ramës në pushtet, aktin e parë që bëri, shkriu njësinë e sigurisë kibernetike duke e konsideruar si njësi spiunazhi dixhital.

Së dyti, me tenderë të dyshimtë, serverat e sistemit u transferuan jashtë vendit.

Së treti, AKSHI shpenzoi me Gjelishtët e Bolinos, Beqon e Partisë, prapa të cilit rëndom qëndron Armando, baxhanaku i Ramës.

190 milion euro për sigurinë e sistemeve të cilët ndërtuan një mur të jashtëm prej kashte, dhe vodhën shumën dërrmuese të fondeve të alokuara për mbrojtjen e sistemeve.

Përpjekja për të fajësuar firmën amerikane që ka marrë përsipër mbrojtjen e sistemit, është thjesht përpjekje për të fshehur vjedhjen e madhe dhe korrupsionin me 190 milion euro tendera sekretë, apo të paracaktuara të Ramës dhe bashkëpunëtorëve të tij.

Partia Demokratike dënon me forcë këto akte të rënda korruptive qeveritare dhe garanton se përgjegjësit e tyre do të mbajnë të gjithë përgjegjësinë ligjore që u takon.”

Zjarr Tv Ad