Partia Demokratike denoncoi sot se si është kapur sistemi gjyqësor nga Edi Rama. Kryetarja e Komisionit të Apelimit në PD, Adriana Kalaja tha se Rama përdori fondacionin EWM për të kapur këtë reformë.
Sipas saj, ky fondacion financohet nga Soros dhe menaxhohet nga Delina Fico.
DEKLARATA E PLOTE
Partia Demokratike dhe kryetari i saj kanë denoncuar në vijimësi kapjen që Edi Rama i ka bërë Sistemit Gjyqësor, nëpërmjet të ashtuquajturës Reforma në Drejtësi.
Sot, shumë shqiptarë e dinë, sepse e provojnë në kurriz, gjendjen reale në Sistemin e Drejtësisë, si pasojë e kësaj kapjeje.
Ne i bëjmë me dije publikut prova të tjera, se si është arritur në këtë pikë, si nga investigimet e organizatave brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, por edhe nga ‘gjurmët’ e transferimit të fondeve që lidhen me reformën.
Grupi mbikëqyrës amerikan Judicial Watch publikoi dokumente duke përdorur Aktin e Lirisë së Informimit, të cilat zbulonin se Instituti East West Management, kishte marrë fonde të USAID-it, si pjesë e fushatës prej rreth 9 milionë dollarësh në Shqipëri. Judicial Watch pretendon se paratë u përdorën për t’i dhënë qeverisë socialiste të Shqipërisë një kontroll më të madh mbi sistemin gjyqësor kombëtar.
JW shton gjithashtu se, Fondacionit të multimiliarderit Xhorxh Soros iu dha akses i drejtpërdrejtë në procesin e vendimmarrjes së Departamentit të Shtetit për përdorimin e fondeve të taksapaguesve në Shqipëri. Për më shumë, përfaqësuesve të Fondacionit Soros u kërkohej të ndihmonin në vlerësimin e aplikimeve për grante të dorëzuara në Departamentin e Shtetit.
Gjithashtu, sipas Pasqyrave Financiare të EWM që publikojmë sot, fondet e taksapaguesve amerikanë për mbështetjen e Reformës në Drejtësi janë transferuar nga USAID te Fondacioni EWM që administrohet nga znj. Delina Fico.
Pyetjet që ngremë sot janë:
- Përse këto fonde nuk kaluan drejtpërdrejt për mbështetjen e Reformës në Drejtësi, nga USAID te institucionet e lidhura me Sistemin e Drejtësisë?
- Pse këto fonde transferohen nëpërmjet fondacionit që administrohet nga znj. Fico, EWM?
- A janë administruar fonde për Reformën në Sistemin e Drejtësisë, edhe në vende të tjera të Lindjes nga znj. Fico, dhe a është kallëzuar ajo penalisht lidhur me shpërdorimin e këtyre fondeve?
- Sa nga këto fonde kanë kaluar për Reformën në Drejtësi?
- A është kryer ndonjë audit lidhur me këto fonde?
Gjithashtu, sipas informacioneve jozyrtare që kemi marrë, në Gjykatën e Lartë janë punësuar juristë pa kontrate, dhe jashtë kritereve që përcaktojnë dispozitat ligjore për të bërë skanimin e dosjeve, nga fondacioni EWM.
Fakt është që para dy vitesh u hodh në diskutim një projekt i USAID me KLGJ, për mbulimin e vakancave në GJL me juristë të këtij fondacioni. Projekti mbeti pa nënshkruar (të paktën i pa bërë publik) për shkak të kundërshtive të mëdha, që shkonin deri në shkelje të rënda të Kushtetutës së Shqipërisë.
Sot, në kundërshtim me dispozitat ligjore, janë punësuar pa kontratë juristë të fondacionit të Delina Ficos, të cilët vendosin lidhur me pranimet dhe mospranimet e rekurseve.
Në këto kushte, i bëjmë thirrje SPAK që të hetojë rastin, si të fondeve të taksapaguesve amerikanë, transferuar nga USAID për llogari të Reformës në Drejtësi nëpërmjet EWM, por edhe të punësimeve të paligjshme dhe korruptive në Gjykatën e Lartë.