Pedagogët nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë hap pas/Artan Hoxha: S’jemi të kënaqur me 15%

0
46
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Dy javë pas bojkotit të mësimit nga pedagogët, rektori i universitetit më të madh në vend, Artan Hoxha, ka mbajtur për herë të parë një qëndrim publik diplomatik.

I pyetur nga mediat dhe tejet i kujdesshëm mbi atë se çfarë thotë, Hoxha deklaroi se shtesa me 15% nuk është ajo që prisnin, por rezultat i komunikimit të tij me qeverinë.

“Ne nuk jemi të kënaqur për këtë rritje, ne kemi pasur kërkesa më të larta për sa i përket Këshillit të Ministrave, por ne vazhdojmë të jemi në komunikim. Kemi një komunikim të vazhdueshëm, është rezultat i këtij bashkëpunimi edhe rritja e pagës”.

Gjatë fjalës në komisionin Parlamentar për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, rektorët kërkuan më shumë buxhet për institucionet e arsimit të lartë.

“Konstatojmë një rritje të lehtë të buxhetimit të arsimit në përgjithësi dhe arsimit të lartë në veçanti, por gjithë sesi ne vlerësojmë se ky buxhetim i propozuar nuk është i mjaftueshëm që ne t’i zhvillojmë proceset tona në realizim të misionit që institucionet e arsimit të lartë kanë”.

Vëmë në dukje se një nga kërkesat kryesore të pedagogëve protestues është rritja e buxhetit për kërkimin shkencor, por edhe përmirësimi i infrastrukturës në universitete. Një qëndrim të ngjashëm ka mbajtur edhe në letrën drejtuar dekanëve ku përveçse nuk konsideron sindikatat, vë në dijeni komunikimin e vazhdueshëm që ka me MAS për kërkesat e stafit pedagogjik.

Pedagogët paralajmërojnë grevë urie

Pas dy javësh bojkot të plotë të procesit mësimor, nuk kanë ndërmend të bëjnë asnjë hap pas pedagogët, pa marrë atë që kërkuan në krye të herës, rritjen e financimit për universitetet.

Përfshirë këtu edhe trajtimin me paga dinjitoze të të gjithë stafit akademik, ndihmës e stafin mbështetës. Nëse qeveria dhe gjithë institucionet e tjera që janë vënë në dijeni të kërkesave do të vijojnë të bëjnë një vesh shurdh, pedagogët paralajmërojnë përshkallëzim të qëndresës së tyre deri në grevë urie.

Këtë e lajmëron kreu i Sindikatës së Punonjësve të Universiteteve të Shqipërisë, Sandër Kovaçi.

“Sindikata, në bashkëpunim me degët e saj në të gjitha universitetet në rrethe po diskuton mbi hapat e radhës. Ka pasur propozime që të shkohet më tej, që për mua si kryetar i sindikatës është hapi më i padëshirueshëm i reagimit, përdorimi i grevës së urisë apo ngujimit për të realizuar kërkesat tona. Por meqenëse ky variant është i parashikuar në kushtetutë, ligjet e vendit dhe konventat ndërkombëtare mund të përdoret për të ushtruar presionin e duhur mbi autoritetet që ata vërtetë ta kuptojnë situatën e arsimit të lartë dhe të reagojnë në mënyrë konstruktive”, deklaroi Kovaçi në protestën e djeshme, duke i kujtuar autoriteteve universitare që nuk e kanë parë të arsyeshme të bashkohen deri më tani se kanë edhe pak ditë afat të bashkohen me ta, pasi është ky profesorat ai që do t’i japë gjykimin në përfundim të mandatit dhe rimarrjen e një të dyti.

Në fillim të javës që vjen, pedagogët lajmërojnë zhvillimin e së tretës protestë kombëtare, në të cilën ftojnë të marrin pjesë edhe ata që deri më tani nuk i janë bashkuar protestës.

“Ditën e hënë, në orën 11:00, do të zhvillojmë një protestë kombëtare përpara Universitetit Politeknik. U bëjmë thirrje përveç atyre që e kanë firmosur peticionin dhe që kanë mbështetur protestën, por edhe atyre që e kanë parë të arsyeshme këto dy javë të bëjnë mësim, ta humbin një orë dhe të jenë në protestë, pasi është në shërbim të së drejtës së tyre”, thotë Kovaçi.

Deri më tani, rezistenca e pedagogëve është zhvilluar në forma të ndryshme, nga protestat e thjeshta deri tek ato kombëtare e forumi për lëvizjen universitare.

Nga ky i fundit, ka dalë nevoja për një kontratë kolektive që të mbrojë stafin pedagogjik.

“Jemi në procesin e fundit të draftimit të kontratës kolektive, e cila do t’i shërbejë konsolidimit të pozicionit të statusit të pedagogëve në universitete dhe intimidimi kundrejt profesoratit do të jetë i pavlefshëm”, sqaron kreu i Sindikatës duke nënvizuar më tej se kjo qëndresë nuk është thjesht për pagat e tyre, por për një universitet cilësor. Kërkimi shkencor është thelbësor në arsimin e lartë, por kërkim pa financim nuk ka. Për këtë arsye, sindikata i ka kërkuar qeverisë që 0.3% e GDP-së të shkojë për të.

Zjarr Tv Ad