Përse Basha është me Berishën kundër amerikanëve?

0
31
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Nga Endri SHABANI

Amerika para së gjithash përfaqëson një model kulturor dhe politik, i cili ka orientuar zhvillimin e vendit që pas rënies së komunizmit.

Duke përfaqësuar modelin ku do të mbërrinim në fund të trazicionit, shqiptarët kanë parë tek Amerika një partner në instalimin e demokracisë liberale.

Gjithashtu, dështimi për të patur një autoritet të brendshëm që t’i besojmë, na bëri t’i japim Amerikës rolin e arbitrit politik. Kaq e vërtetë është kjo sa për tre dekada publiku i ka hedhur sytë nga qëndrimi i ambasadës amerikane për çështje politike, që janë krejtësisht të brendshme.

Brenda këtij roli që i kemi dhënë, amerikanët na dhanë një mesazh për vendin tonë duke e shpallur Berishën non-grata për vendin e tyre.

Mirëpo leximi i këtij mesazhi nga Basha dhe Berisha po dëmton seriozisht kredibilitetin e këtij modeli në Shqipëri.

Nga njëra anë është Berisha, i cili, duke u përpjekur të shpëtojë veten, e sulmon administratën amerikane si të korruptuar dhe të kapur nga influenca antishqiptare.

Sipas Berishës, ai është shpallur non-grata jo se është i korruptuar por se është shumë patriot. Pra amerikanët jo vetëm qënkan kundër demokratëve, por ata janë kundër interesit të shqiptarëve.

Në këtë pikë, nuk ka asgjë për tu habitur. Për familjen e tij Berisha ka qënë i gatshëm të djegë Shqipërinë, e jo më kredibilitetin e Amerikës.

Problemi këtu është tek Basha, i cili duke u hequr si pro Amerikan po bën një dëm edhe më të madh për imazhin e Amerikës në Shqipëri.

Duke mos guxuar të artikulojë asnjë akuzë ndaj Berishës (madje duke e lavdëruar atë), ai tregon se nuk është dakord me këtë vendim. Pra pranon vendimin, por refuzon argumentet mbi të cilin ai është marrë, duke çuar kështu ujë tek teza e Berishës që administrata amerikane ka vepruar nën influenca të jashtme.

Jo vetëm kaq, por duke thënë se amerikanët e kanë detyruar të marrë këtë vendim, Basha krijon përshtypjen se ai ndihet i pafuqishëm për të mbrojtur interesat e demokratëve, dhe akoma më pak të shqiptarëve.

Ky qëndrim është fyes për dinjitetin e çdo demokrati, dhe çdo shqiptari, sepse i bën ata të ndihen të pafuqishëm dhe të nëpërkëmbur brenda partisë së tyre, në vendin e tyre.

Berisha ka aq kusure sa duhet të kishte dalë prej kohësh nga politika, dhe unë nuk e di përse Basha nuk e ka marrë këtë vendim me kohë, pa pritur amerikanët.

Nuk e di as përse ai ka zgjedhur të mos mbështesë argumentet mbi të cilat është marrë vendimi për të shpallur Berishën non-grata.

Por di që e vetmja rrugë për Bashën është të pranojë atë vendim si legjitim, dhe të kundërshtojë teoritë konspirative të Berishës. Kjo për të mirën e tij, të partisë që drejton, por edhe të Shqipërisë.

Për të mirën e tij, sepse këto teori sot e bëjnë Berishën të duket një luftëtar guximtar në mbrojtje të demokratëve, dhe jo një njeri i korruptuar në përpjekje për të shpëtuar me çdo çmim familjen e vet.

Për të mirën e partisë që drejton, sepse këto teori konspirative i bëjnë demokratët të ndihen të pafuqishëm dhe të dorëzohen, duke humbur interesin për politikën dhe duke mos votuar. Se ç’kuptim ka të votosh kur qeveria vendoset diku mes New York-ut dhe Washingtonit?

Për të mirën e Shqipërisë, sepse ky artikulim që sot është kundër administratës amerikane, pashmangshërisht do të zgjerohet kundër Perëndimit si model kulturor, duke lënë pas një luginë që do të mbushet nga fantazmat e të shkuarës. Konspiracionistët e rinj dhe talibanët e vjetër janë që tani tek porta, duke iu fryrë pishtarëve të antishkencës dhe duke ndezur pasione mesjetare.

 

Zjarr Tv Ad