Presidenca: “Dvoran ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen”

0
12

Presidenca i përgjigjet ‘dhëmbë për dhëmbë’ kreut të KED Ardian Dvorani. Zëdhënësi i Presidentit të Republikës Tedi Blushi i kërkon kreut të KED të ruajtë qetësinë dhe të mbledhë mendjen.

Më pas i lutet të mos dëmtojë provat dhe t’i publikojë i pari ato dhe videot.

“Dvoran, ruaj qetësinë dhe mblidh mendjen! Të lutem mos dëmto provat se do rëndosh më shumë pozitën tënde! Më thonë gazetarët se paske publikuar dhe një video? Shumë mirë!
Vetëm ruaj qetësinë me videot, se publikimi i tyre nuk ka filluar akoma! Ne e dimë që ty të kanë ngatërruar në anglisht, por do të sqarojmë edhe në shqip! Ndaj bën mirë t’i publikosh vetë i pari të gjitha provat dhe videot!
Megjithatë, ne me shumë qetësi po presim hetimin! Reforma në Drejtësi do ecë përpara dhe askush nuk mund ta ndalë dot!”

Blushi Fb

Në një deklaratë për mediat sot Dvorani tha se do vazhdojë të ushtroj deri në fund kompetencat dhe se nuk ka lënë asnjëherë të kuptohet se ndjekja penale ndaj tij mund të bllokojë këtë institucion. “Gjatë gjithë kësaj kohe kam zgjedhur të jem i përmbajtur në komunikimin publik dhe të mos përfshihen në lojërat mediatike të cilat jo pak funksionarë publikë i kanë shumë përzemër, më shumë se sa kujdesin për të përmbushur detyrat që u ngarkon Kushtetuta e ligji, si edhe pritshmërinë e publikut. Kështu do të vazhdoj, të ushtroj deri në fund kompetencat, pa u shpërqëndruar nga të tilla fenomene. Ushtrimi i detyrës dhe dinjiteti i funksionit që kam, më kërkon të mos i përgjigjem këtyre lloj lojërave, nëse nuk është e domosdoshme për të mbrojtur autoritetin kushtetues të KED, të anëtarëve në përbërje të tij dhe figurën e dinjitetin tim në cilësinë e gjyqtarit”, deklaroi sot kreu i KED.