Banorët e Bërxullës kanë zhvilluar në ambientet e jashtme të kryeministrisë një protestë në lidhje me projektin e rrugës Thumanë-Kashar, nga i cili preken 20 banesa dhe 30 hektarë tokë në këtë Njësi Administrative.
Banorët të revoltuar kërkojnë nga qeveria më shumë informacion në lidhje me projektin dhe kompensim me vlerën e tregut.
Në një prononcim për media një prej banoreve që preket nga projekti tha se shpërblimi që pritej të merrte për banesën është 4 milionë lekë, një shifër tepër u ulët me vlerën reale të pronës së saj. Ajo kërkoi që të hidhet më shumë dritë mbi projektin.
“Më merr shtëpinë dhe tokën, ku do shkoj unë me atë çmimi. Unë jam pa punë çfarë do bëjë me ato 4 milionë. Njeri nuk ka ardhur ta vlerësojë, por vetëm me llafet që kemi dëgjuar. Kemi kërkuar informacion por s’kemi marrë asnjë përgjigje.
Ai që ka marrë lotin e Bërxullit ka thënë që do merrni dhe 2 milionë lekë, pra 6 milionë në total. Çfarë do bëjmë ne me ato lekë”, tha gruaja.
Ndërkohë një tjetër protestuese deklaroi se qeveria duhet të bie dakord me kërkesat e banorëve dhe akuzon firmën ndërtuese Gener 2 se ka nisur punimet pa miratimin e projektit nga qeveria.
“Kush është ai qytetar që ta lejë pronën e tij për 6 milion lekë. Kemi shkuar në të gjitha institucionet përkatëse dhe na kanë sjellë që nuk kemi asnjë lloj projekti të miratuar. Pa u miratuar nga qeveria si Gener 2 ka nisur punimet, normalisht kjo ndodh me mbështetjen e qeverisë. Qeveria të bie dakord me kërkesat tona se janë të drejta. Çfarë janë 4 milionë lekë, le të ma gjejnë mua një pronë me 4 milionë lekë dhe e blej unë.
Preken 20 banesa nga projekti por me linjat e tensionit që pritet të zhvendosen numri i banesave të prekura shkon në 30, ndërsa tokë e prekur është 30 hektarë”, tha ajo.