Putin do marrë pjesë në ceremoni’/ Rusia konfirmon se do të aneksojë të premten rajonet e Ukrainës ku u mbajt referendumi

0
109
Zjarr Televizion Ad This is a sample article. ...

Rusia konfirmoi të enjten se do të aneksojë zyrtarisht pjesë të Ukrainës nën kontrollin e Moskës ku u mbajtën “referendume” të orkestruara nga Kremlini, të cilat qeveria ukrainase dhe Perëndimi i kanë denoncuar si të paligjshme dhe të manipuluara.

Presidenti rus Vladimir Putin do të marrë pjesë në një ceremoni të premten në Kremlin kur katër rajone të Ukrainës do të bashkohen zyrtarisht me Rusinë, u tha gazetarëve zëdhënësi Dmitry Peskov.

Peskov tha se administratorët pro-Moskës të rajoneve do të nënshkruajnë traktate për t’u bashkuar me Rusinë gjatë ceremonisë në sallën e Shën Gjergjit të Kremlinit.

Aneksimi zyrtar pritej gjerësisht pas votimeve që u mbyllën të martën në zonat nën pushtimin rus në Ukrainë dhe pasi Moska pretendoi se banorët mbështetën në masë të madhe që zonat e tyre të bëheshin zyrtarisht pjesë e Rusisë.

Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre perëndimorë i kanë dënuar ashpër votimet si “të rreme” dhe janë zotuar të mos i njohin kurrë rezultatet e tyre. Ministrja e Jashtme gjermane Annalena Baerbock iu bashkua të enjten zyrtarëve të tjerë perëndimorë në denoncimin e referendumeve.

“Nën kërcënime dhe ndonjëherë edhe nën tytën e armëve njerëzit nxirren nga shtëpitë ose vendet e tyre të punës për të votuar në kuti votimi prej xhami,” tha ajo në një konferencë shtypi në Berlin.

“Kjo është e kundërta e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme,” tha zonja Baerbock. “Dhe kjo është e kundërta e paqes. Është paqe e diktuar. Për sa kohë që ky diktat rus mbizotëron në territoret e pushtuara të Ukrainës, asnjë qytetar nuk është i sigurt. Asnjë qytetar nuk është i lirë”, tha ajo.

VOA

Zjarr Tv Ad