Nga Tritan Shehu.
Mbas “avullimit” të Ballkanit të hapur lindor-vuçiçian, Rama kërkon të tregohet ithtar i Perëndimit edhe me përbetimet për Procesin e Berlinit. Në fakt, në këtë linjë të tij vetëm aparente perëndimore, ka një paralelizëm me çfarë po përpiqet të transmetojë dhe “shefi” i tij, presidenti Erdogan. Dhe pikërisht këtu i duhet “miqësia” me Italinë, edhe në këto momente të përkeqësimit të marrëdhënieve me Greqinë si pasojë e veprimeve arbitrare të tij.
Italia është partneri ynë i vyer strategjik, porta e integrimit tonë europian, me të cilën Rama prej 2013-ës nuk ka ndërtuar asgjë reale, konsistente, vetëm fjalë. Në asnjë rast Rama nuk ka tentuar të krijojë, aq sa mundej ai, hapësira për forcimin e rolit të Italisë në rajon e aq më pak në Shqipëri. Asnjë hap konkret; përkundrazi, vetëm veprime direkte a indirekte për të zbehur rolin e Italisë qoftë dhe me tentativat për të forcuar rolin e partnerëve lindorë dhe këto, ndesh me interesat tona e të rajonit në tërësi. Por tashmë, në nëntor, Rama është përpara një prove konkrete.
Ministria e jonë e Jashtme me Notë Verbale më parë njoftonte Italinë se për vendin organizues të “EXPO 30” do të mbështeste atë përballë Arabisë Saudite e Koresë së Jugut. Krejt normal ky pozicion! Çuditërisht, më tej, qëndrimi shqiptar ka devijuar drejt Arabisë Saudite!
Për Italinë mike, unë, si ish-ministër i Jashtëm, gjykoj se kjo është një çështje thelbësore, që nuk mund të mos influencojë në marrëdhëniet tona. Pra, Rama duhet të vendosë deri në nëntor. Një provë e vogël, por konkrete kjo për “dashurinë” e tij ndaj Italisë e BE-së jashtë deklamimeve boshe. Aq më shumë besoj se tashmë është thelluar dilema e Ramës mbas disa zhvillimeve të reja shumë pozitive për forcimin e rolit të Italisë në rajon…